Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka publikuar analizën e politikave “Shërbimet sociale pas Raportit për Kosovën 2026: Financim i qëndrueshëm për nevojat lokale”, e cila trajton sfidat e financimit, kapacitetet institucionale dhe nevojën për përmirësimin e shërbimeve sociale në nivel komunal.
Duke u mbështetur në gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2026 dhe në konsultimet e zhvilluara nga Instituti me qytetarë, asambleistë, institucione komunale dhe organizata të shoqërisë civile në Prizren, Istog, Kamenicë dhe Graçanicë, analiza evidenton mospërputhjen ndërmjet përgjegjësive të komunave për ofrimin e shërbimeve sociale dhe burimeve financiare e njerëzore që kanë në dispozicion.
Sipas Raportit të Komisionit Evropian, progresi i Kosovës në fushën e politikave sociale mbetet i kufizuar, ndërsa mungesa e financimit shumëvjeçar, numri i pamjaftueshëm i punëtorëve socialë dhe kapacitetet e dobëta komunale vazhdojnë të ndikojnë në cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve. Këto sfida janë evidentuar edhe gjatë punës së Institutit në nivel lokal, veçanërisht sa i përket kujdesit për fëmijët me aftësi të kufizuara, mbështetjes për të moshuarit dhe qasjes në shërbime sociale.
Analiza thekson gjithashtu se mungesa e shërbimeve të kujdesit e zhvendos barrën te familjet, veçanërisht te gratë, duke kufizuar mundësitë e tyre për punësim dhe pjesëmarrje në tregun e punës. Për këtë arsye, investimi në shërbime sociale duhet të trajtohet edhe si investim në barazinë gjinore dhe mirëqenien ekonomike.
Zhvillimi dhe publikimi i këtij dokumenti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së apo Suedisë.
Për të lexuar të plotë analizën e politikave mund të klikoni KËTU.