Serbët nga Gorazhdevci: Shqetësimet e njëjta të përditshme pavarësisht ndarjeve

Shkruan Bosilka Vukaniq*

Megjithëse narrativat politike shpesh theksojnë dallimet, problemet e përditshme si ndërprerja e ujit, ndotja e mjedisit, papunësia dhe ikja e të rinjve prekin njëjtë si shqiptarët ashtu edhe serbët në rajonin e Pejës.

Çdo ditë, vërshohemi me lajme që përshkruajnë situatën politike në Kosovë, fjalë të mëdha të njerëzve “të mëdhenj”, biseda të mëdha që nuk zgjidhin asgjë. Të njëjtin lajm e lexon një serb nga Gorazhdevci dhe një shqiptar nga Posheshqi, të cilët nuk kanë ujë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 18 të mbrëmjes për disa muaj gjatë verës. Të dytë nuk mund të flenë natën për shkak të zhurmës së separacionit të paligjshëm të zallit. Të dytë nuk mund t’i ujisin fushat e tyre sepse Bistrica ka gjithnjë e më pak ujë. Të dytë i pastrojnë mbeturinat para oborreve të tyre çdo ditë që kalimtarët i hedhin nga veturat e tyre, dhe të dytë nuk kanë me kë të flasin në mbrëmje sepse fëmijët e tyre kanë shkuar diku në botë për të kërkuar lumturinë e tyre dhe një të ardhme më të mirë. Kur takohen diku, ata nuk flasin se si shkuan zgjedhjet në Kosovë ose si shkoi dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, por flasin se si ishte gruri sivjet, se si breshri i shkatërroi të korrat ose se si vera po bëhet më e ngrohtë dhe dimrat po bëhen më të butë, se si uji, ajri dhe toka jonë janë ndotur, ose se si vajzat dhe djemtë e tyre presin të gjejnë punë tash e 20 vjet. Forcat që formësojnë jetën tonë të përditshme nuk kanë rëndësi se kush jemi apo si identifikohemi. Gropa në rrugë do të dëmtojë çdo automjet, pavarësisht nga cilësia ose çmimi i tij, ashtu siç problemet e përditshme e prekin çdo person pavarësisht nga mbiemri ose feja që e identifikon.

Kosova prej vitesh po përballet me papunësi të madhe dhe migrim të të rinjve. Në Kosovë jetojnë rreth 1,1 milion persona në moshë pune. Prej tyre, vetëm 43,2% janë ekonomikisht aktivë (të punësuar ose në kërkim të punës), ndërsa vetëm 38,6% janë të punësuar. Gjatë vitit 2024, 37.451 persona u larguan nga Kosova. Në dhjetë vitet e fundit, rreth 100 banorë janë larguar nga Gorazhdevaci. Shumë të rinj në Kosovë nuk shohin perspektiva të mjaftueshme për të ardhmen e tyre dhe po mendojnë të largohen. Ata që mbesin më shpesh e bëjnë këtë për shkak të punës, familjes ose një lidhjeje të fortë me vendlindjen e tyre. Papunësia e gjatë dhe ndjenja e pasigurisë shpesh ndikojnë negativisht në shëndetin mendor të të rinjve, duke rritur rrezikun e ankthit dhe depresionit, prandaj shumë e shohin largimin si mundësi për jetë më të mirë dhe më të sigurtë. Largimi i të rinjve dhe të arsimuarve nga Kosova çon në humbjen e popullsisë në moshë pune, përshpejton plakjen demografike dhe paraqet sfidë serioze për zhvillimin afatgjatë ekonomik dhe social.

Ndotja e mjedisit është problem i madh për shëndetin në Kosovë. Natyra mund të jetë e pamëshirshme, dhe nëse e shkatërrojmë, do t ‘i marrë me vete të gjithë njerëzit, pavarësisht nëse jetojnë në Graçanicë, Vitomiricë a Gjakovë.

Banorët e rajonit të Pejës pinë ujë nga Bistrica, lumi që është shfrytëzuar intensivisht për vite me radhë për nxjerrje të rërës dhe zhavorrit. Shfrytëzimi i tillë e ndryshon shtratin e lumit, e rrezikon florën dhe faunën, por ndikon negativisht edhe në sigurinë dhe cilësinë e jetës së popullsisë lokale. Përveç kësaj, Bistrica është e ndotur seriozisht, pasi mbeturinat hidhen në vende të shumta në shtratin e saj të lumit. Bujqit që i ujisin fushat me ujë nga Bistrica shpesh ankohen se pantoflat, lodrat, qeset plastike, topat dhe mbeturinat e tjera arrijnë te të korrat e tyre së bashku me ujin. Edhe pse ata i heqin rregullisht mbeturinat, ato mbesin vazhdimisht në fushat ku rritet gruri, misri, patatet dhe kulturat e tjera bujqësore. Këto kultura më vonë përdoren për të ushqyer njerëzit dhe bagëtitë ose shiten në treg, gjë që ngre më tej çështjen e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në vitin 2019, banorët e Gorazhdevacit, Ponoshevacit, Vragovcit dhe Babiqit organizuan gjashtë protesta përpara impiantit të sapondërtuar të kompanisë “Swiss”, për shkak të dyshimit se në atë vend janë depozituar mbetje kimike. Banorët u kërkuan përfaqësuesve të kompanisë prova për natyrën e mbetjeve, por nuk i morën kurrë. Dyshimi për praninë e mbetjeve kimike ishte problem për të gjitha komunitetet që jetojnë pranë impiantit dhe, të paktën për një kohë të shkurtër, i bashkoi ata me një kërkesë të përbashkët për një mjedis më të shëndetshëm dhe më të sigurtë, kryesisht për shkak të së ardhmes së fëmijëve të tyre.

Kosova është një hapësirë që ndahet në mënyrë të barabartë nga të gjithë njerëzit, pavarësisht nëse luten në xhami, kishë a katedrale – natyra që na rrethon nuk i njeh dallimet dhe ndotja nuk ka kufij.

Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen banorët e Gorazhdevacit dhe rreth tridhjetë lokaliteteve të tjera në afërsi të Pejës prej vitesh janë ndërprerjet e ujit. Kjo ndodh kryesisht gjatë muajve të verës dhe zgjat deri në 12 orë në ditë, ndonjëherë gjatë ditës dhe ndonjëherë gjatë natës. Prandaj banorët e këtyre vendeve e ruajnë ujin në fuçi, shishe e balona për ta përdorur në periudha kur ka ndërprerje.

Në shekullin 21. njerëzit në shoqërinë moderne ende detyrohen të lahen me ujë të ngrohur në shporet dhe të përgatisin ushqim duke përdorur ujin që kanë mbledhur më parë në shishe dhe enë të tjera. Ndërprerjet e ujit ndikojnë seriozisht në jetën e përditshme, higjienën dhe, në mënyrë indirekte, në shëndetin e popullatës. Megjithëse këto ndërprerje nuk kanë ndodhur sivjet, banorët ende kanë frikë se problemi mund të rishfaqet.

Një problem tjetër i madh janë ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë. Rrjeti i dobët i energjisë, i ndërtuar dekada më parë, prishet edhe me ndryshime të vogla të motit. Kur energjia ndalet në netët e ftohta të dimrit, errësira dhe i ftohti nuk bëjnë dallim.

Për vite me radhë, narrativa e dallimeve që supozohet se janë të pakapërcyeshme është përhapur në shoqërinë e Kosovës. Megjithatë, në momentin që i mbyllim veshët ndaj përçarjes politike, kuptojmë se jetojmë në një realitet që shpesh është mizor ndaj njerëzve të rëndomtë – një realitet në të cilin lumenjtë tanë thahen, të rinjtë largohen dhe mjedisi ndotet. Megjithëse identiteti është shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, rruga për një të ardhme më të mirë qëndron në tejkalimin e dallimeve të tilla. Kur biem dakord ta ndryshojmë mjedisin në të cilin jetojmë së bashku për mirë, kjo do të thotë edhe bashkëjetesë më e mirë. Nëse problemet na bashkojnë, atëherë duhet të na bashkojnë edhe zgjidhjet e këtyre problemeve. Një e ardhme e sigurtë nuk qëndron në simbolet që na dallojnë, por në gatishmërinë për ta vënë botën në të cilën jetojmë në rregull së bashku.

*(Autorja ka përfunduar fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe ka magjistruar po në këtë drejtim. Jeton dhe punon në Gorazhdevac (Pejë) si mësuese e gjuhës angleze në Gjimnazin “Sveti Sava”)