Reagim ndaj situatës së krijuar politike
- March 25, 2020
- Posted by: admin
- Category: Balline
Në kohën kur Kosova, si e gjithë bota, po përballet me luftën kundër virusit COVID-19, politikanët kosovar duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe të vënë interesin publik, shëndetin publik dhe urgjencën e krijuar si prioritet dhe jo luftën për pushtet. Duke pasur parasysh që Kosova e ka një sistem të dobët shëndetësor dhe mjete të kufizuara për luftimin e kësaj pandemie, situata e krijuar politike vetëm sa e rëndon këtë gjendje.
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” konsideron se insistimi në votimin e mocionit të mosbesimit sot, në këtë kohë kaq të ndjeshme globalisht e në vendin tonë, bart në vete një papërgjegjësi e rrezikshmëri të lartë për shëndetin publik para së gjithash, por edhe për integritetin, kredibilitetin e vijueshmërinë e institucioneve publike.
Krerët institucional (Presidenti dhe Kryeministri), si dhe partnerët e koalicionit (Lëvizja Vetëvendosje VV dhe Lidhja Demokratike e Kosovës) janë përgjegjësit kryesor të shkaktimit të krizës politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës.
Insituti ynë dënon ashpër sjelljen e partnerëve të koalicionit në këto momente kritike. Vendi ynë nuk e ka luksin që tani të shpenzojë kohë dhe energji për t’u përballur me mungesën e kohezionit politik të brendshëm të qeverisë.
Ndryshimet eventuale në qeveri do të nënkuptonin ndërprerje të vazhdimësisë së mekanizmit të ndërtuar nga qeveria aktuale, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë dhe gjithë institutcioneve të tjera relevante, për identifikimin dhe testimin e personave të dyshuar, trajtimin e personave të sëmurë dhe për mbikëqyrjen e situatës së krijuar. Koha që do të humbnim duke u marrë me insteresat e partive politike mund të rezultojë fatale për Kosovën.
Republika e Kosovës, më shumë se kurrë, ka nevojë për një qeveri progresive, për politika sociale, me kapacitete demokratike dhe mbi të gjitha një qeveri që ka prioritet qytetarin.