Publikohet raporti Mbikëqyrësi Social: Angazhimi i Institucioneve për Politikat Sociale

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë ngritur vetëm 177 herë çështje nga fusha e politikave sociale përgjatë vitit 2021. Përderisa dialogu social dhe përfshirja e punëtorëve është përmendur më së shumti, çështja e personave me aftësi të kufizuara është përmendur më së paku. Nga ana e tyre, Komisionet parlamentare kanë ngritur vetëm 47 çështje nga politikat sociale.

Kjo është një nga të gjeturat e monitorimit të të gjitha deklarimeve dhe iniciativave të deputetëve në 34 seanca të Kuvendit dhe 110 mbledhje të Komisioneve parlamentare, të bërë nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari i cili ka filluar zbatimin e projektit “Mbikëqyrësi Social”, që nënkupton monitorimin e punës dhe angazhimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të qytetarëve për politikat sociale. Ky projekt mundësohet dhe përkrahet nga Olof Palme International Center.

Monitorimi dhe analiza është bërë mbi bazën e dhjetë parimeve të Shtyllës Evropiane për të Drejtat Sociale: Edukim, trajnim për tregun e punës; Mundësi të barabarta; Dialogu Social dhe përfshirja e punëtorëve; Mbështetje për të papunët; Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara; Barazia gjinore; Siguria në punë; Kujdesi dhe mbështetja për fëmijët; Të ardhurat dhe pensionet e pleqërisë; Qasja në shërbimet thelbësore.

Sipas hulumtimit tonë, gjatë vitit 2021, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka ngritur 56 propozime, diskutime apo çështje që ndërlidhen me politikat sociale; Partia Demokratike e Kosovës – 55; Lidhja Demokratike e Kosovës – 19, ndërsa Lista Serbe asnjë.

Nga 120 deputetë, 57 prej tyre nuk kanë përmendur asnjë çështje që lidhet me dhjetë komponentat e politikave sociale përgjatë 34 seancave të mbledhura.

Për më tepër, asnjë nga 28 projektligjet e proceduara nga legjislacioni social, shëndetësor dhe mjedisor nuk është kthyer në ligj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë vitit 2021.

Në programin legjislativ të miratuar herën e parë ka qenë i përfshirë edhe Projektligji për banimin social, por i cili pa asnjë arsyetim publik dhe në format të shkruar, është tërhequr nga programi legjislativ në mbledhjen e qeverisë të mbajtur me 8 shtator 2021.

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari e konsideron gjithashtu të gabueshëm shurajen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Edhe pse departmentet nga kjo ministri të cilat kanë bartur përgjegjësi të caktuara karshi çështjeve të punës dhe mirëqenies sociale vazhdojnë punën, vendosja e tyre nën kupollën politike të financave është problem konceptual dhe praktik. Konceptual meqë mirëqenie sociale kështu shihet vetëm nga perspektiva e mundësisë financiare e buxhetore e jo edhe nga perspektiva e nevojave e të drejtave sociale. Praktik, sepse fokusi tash është te bilanci buxhetor e jo te politikat sociale për transformim shoqëror. Mirëqenia sociale nuk është vetëm transfer financiar. As çështjet e punës nuk bën të shihen vetëm si ulje e kostos. Këtu po flasim për të drejtat shoqërore që duhet t’i gëzojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe të cilat do të duhej të dizajnoheshin përmes politikave që propozohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies e që balancohen pastaj nga mundësitë financiare.

Kuvendi i Kosovës nuk e ka publikuar asnjë votim elektronik të vendimmarrjes kuvendore përgjatë tërë vitit 2021. Qytetarët e Kosovës nuk mund të dijnë se për çka dhe si ka votuar përfaqësuesi i tyre të cilin e kanë votuar. Pamundësia (qoftë ajo edhe për shkak të problemeve teknike apo tenderuese) për t’i parë votimet e deputetëve nuk është arsye e pranueshme për mungesë të një instrumenti thelbësor të transparencës parlamentare.

Për më tepër, Komisionet Parlamentare, siç janë ai për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, si dhe ai për Buxhet, Punë dhe Transfere, për një vit të tërë nuk kanë mbikëqyrë zbatimin e asnjë ligji që lidhet me çështjet sociale, siç janë kushtet e punëtorëve në përgjithësi e në veçanti për kushtet gjatë pandemisë. Po ashtu nuk është bërë asnjë dëgjim publik dhe asnjë diskutim tjetër të vlefshëm për reformën e skemave pensionale dhe sociale.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka diskutuar asnjëherë në thelb për çështjet që lidhen me punën dhe çështjet sociale.

Komisioni parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nuk ka arritur të mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit të punës, të sigurisë dhe shëndetin në punë, si dhe as të ngrisë në thelb ankesat për mbrojtjen e të drejtave në punë në sektorin publik dhe privat.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të iniciojë mocione në formati debatit parlamentar ose të interpelancës për të diskutuar se përse Qeveria e Kosovës nuk ka nisur reformën sociale.

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari rekomandon:

Kuvendi i Kosovës të kërkojë nga Qeveria e Kosovës ta rishqyrtojë çështjen e shuarjes së Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Komisionet parlamentare ta planifikojnë më saktë dhe më mirë planin vjetor të punës, i cili do të përfshinte aspektin e mbikëqyerjes së zbatimit të ligjit, si njërin ndër aspektet kryesore të punës së tyre. Sepse përfaqësimi i interesave të qytetarëve është e drejtë, por edhe përgjegjësi e Kuvendit që t’i mbikëqyrë aspektet më të rëndësishme të institucioneve shtetërore.

Kuvendi i Kosovës t’i krijojë sa më parë mundësitë që t’i publikojë votimet e deputetëve përgjatë vitit 2021, e për këtë të njoftojë edhe përmes medieve kur ato t’i vendosë në faqen zyrtare.

Kuvendi të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që Programin Legjislativ ta sjell në Kuvend jo më larg se 15 dhjetori i vitit paraprak, në mënyrë që secili komision të ketë kohë t’i jap komentet e veta dhe që ato të adresohen në seancë plenare kur të miratohet ky program. Pra, Kuvendi të hyjë në vitin vijues me Program Legjislativ të miratuar.

Raportin e plotë mund ta shkarkoni në linkun vijues:

Prishtinë, 30 janar 2022



Leave a Reply