Për një Kushtetutë që garanton drejtësi sociale, të drejta të punëtorëve, barazi gjinore dhe mbrojtje mjedisore

Sot bëhen 12 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Koha kur u miratua kjo Kushtetutë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, për shkak të rrethanave politike, diskutimi i detajeve të Kushtetutës ishte edhe i pamundshëm, por edhe shihej mbase si i panevojshëm.

Sot 12 vjet pas është e domosdoshme që të reflektojmë përmbi nevojat e zbrazëtirat e kësaj Kushtetute. Përgjithësisht, kur flasim për drejtësinë sociale, të drejtat e punëtorëve, mirëqenien sociale, barazinë gjinore e mbrojtjen e mjedisit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpesh e heshtur, e përgjithësuar dhe me një qasje konservatore. Për shembull, në Preambulën e Kushtetutës, ne zotohemi që “Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social”. Por pastaj në pikat specifike ku trajtohen këto çështje Kushtetuta mjaftohet në garantimin e përgjithësuar të së drejtës, por jo edhe në promovimin e mekanizmave që garantojnë mundësinë e realizimit të së drejtës. Në Nenin 49 garantohet e drejta e punës dhe liria e secilit që të zgjedh profesionin e saj/tij. Nuk obligohen askund autoritetet publike që të promovojnë punësimin dhe të garantojnë që secili qytetar ta ketë mundësinë e realizimit të së drejtës në punë. Në të njëjtin drejtim nuk obligohen askund autoritetet të marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e fuqisë punëtore.

E njëjta vlen edhe për barazinë gjinore. Neni i 7 i cili flet për vlerat e Republikës, siguron barazinë gjinore dhe mundësi të barabarta të secilës gjini në jetën publike në Kosovë. Edhe këtu e kemi një qasje pasive të garantimit të së drejtës, pa pasur obligim eksplicit për ndërhyrje të autoriteteve publike që do ta korrigjonte padrejtësinë e pabarazinë e shtresëzuar historikisht në marrëdhëniet mes gjinive dhe raportit të tyre me të mirën e përgjithshme.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i obligon autoritetet publike që të marrin masa në mënyrë që të promovojnë të drejtën e secilit për strehim dhe të krijojnë mundësi për secilin që të ketë mundësinë e aranzhimit të strehimit për veten e saj/tij.

Kur flet për mjedisin, Kushtetuta e ka një moment progresiviteti në garantimin e së drejtës së qytetarëve të marrin pjesë në vendimet për sa i përket mjedisit jetësor ku ajo/ai jetojnë (Neni 52). Mirëpo edhe këto krejt çka kërkon Kushtetuta nga institucionet publike është që në procesin e vendimmarrjes ta marrin parasysh ndikimin në mjedis. Këtu do të duhej të obligoheshin institucionet publike që t’ia garantojnë secilit qytetar të drejtën për një mjedis të shëndetshëm.

Këto janë disa çështje të rëndësishme që do të duhej të ishin të përfshira në Kushtetutën e Republikës së Kosovës që do ta transformonin atë Kushtetutë në një kontratë sociale e cila promovon e garanton të drejta kolektive, drejtësi sociale e barazi për të gjithë. Garantimit të të drejtave individuale duhet t’i shtohen edhe elemente të promovimit e mbrojtjes së të drejtave kolektive.



Leave a Reply