Nga diskutimi: Kosovë-Serbi: Të drejtat e punëtorëve

Mungesa e sindikatave në sektorë të caktuar, organizimi i dobët sindikal në përgjithësi, mungesa e zbatimit të ligjit të punës dhe arbitrariteti politik, mbeten disa nga problemet kryesore për të drejtat e punëtorëve në rajon.

Ky ishte konstatimi i përbashkët i diskutimit publik mbi të drejtat e punës në Kosovë dhe Serbi, të organizuar të martën në Prishtinë nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.

“Problemet janë të ngjashme midis nesh sa i përket çështjes të të drejtave të punëtorëve, prandaj edhe rajonin duhet trajtuar si tërësi. Në Serbi, shteti ka vendosur rregulla fleksibile për t’i favorizuar investimet duke i mbyllur sytë për të drejtat e punëtorëve, përderisa shpeshherë nuk zbatohet as Ligji i punës”, pohoi Danilo Ćurčić nga A11 Iniciativa për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale në Beograd.

Për Brikena Hoxha, Drejtore Ekzekutive e Iniciativës Kosovare për Stabilitet – IKS, Kosova ka vendosur standarde minimale në të drejtat e punës. “Që nga mosharmonizimi i legislacionit të punës me direktivat evropiane dhe deri te mungesa e sigurisë në punë, si dhe problemet me sigurimet sociale dhe pagën minimale, Kosova mbetet një nga vendet më problematike në rajon për të drejtat e punëtorëve”, tha ajo.

Panelistët ngriten edhe sfidat e reja rreth migrimit të punëtorëve vendorë dhe mungesën e mbrojtjes të të drejtave të punëtorëve që vijnë kryesisht nga Lindja. “Sindikatat e dobëta, migrimi i punëtorëve, ekonomia gri dhe mungesa e infrastrukturës së mbrojtjes së punëtorëve të rinj që vijnë nga jashtë, mbeten probleme të rëndësishme në aktualitet”, konkudoi Visar Ymeri drejtor ekzekutiv i IPS Musine Kokalari i cili e moderoi këtë diskutim.

Qëllimi i organizimit të këtij diskutimi ishte, përveç krahasimit të gjendjes së të drejtave të punëtorëve nëpër realitete të ndara ekonomike në fqinjësi, të shkëmbehen përvojat e shoqërive e vendeve respektive në raport me sfidat me të cilat përballen punëtorët në të dyja anët e kufirit. Po ashtu të trajtohen mundësitë e bashkëpunimi shoqëror tejkufitar të shoqërisë civile dhe sindikatave për ta rritur nivelin e solidaritetit dhe fuqizuar kështu zërin e mundësinë për drejtësi më të madhe sociale, mbrojtje e avancim të kushteve të punës, dhe barazi më të madhe shoqërore. Bashkëpunimi rajonal në mbrojtjen e punëtorëve, mbrojtjen e mjedisit, drejtësinë e kohezioni shoqëror është i domosdoshëm.

Diskutimi që kishte për qëllim identifikimin e problemeve të përbashkëta dhe mundësive për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve është mbështetur nga Ambasada e Suedisë, Community Development Fund CDF & Rockefeller Brothers Fund.

28 mars 2023



Leave a Reply