NË MBËSHTETJE TË “MARSHOJMË – S’FESTOJMË”

8 Marsi është Ditë që duhet shënuar. Sepse është ditë që simbolizon një hap të rëndësishëm në përpjekjen për barazi gjinore, e përmes saj për barazi shoqërore. Nuk është thjeshtë një ditë kur gratë u ngriten në këmbë për të insistuar për të drejtat e tyre – është ditë kur gratë punëtore kërkonin kushte të barabarta, trajtim të barabartë. Pra është dita që manifeston ngjalljen e të nëpërkëmbures kundër sistemin eksploatues të instaluar me kohë. 8 Marsi nuk e lufton vetëm pabarazinë e gruas brenda sistemit të pabarazisë shoqërore. E lufton strukturën shoqërore e cila përgjithësisht është e ngritur përmbi pabarazi.

Tash e sa vite në Kosovë kjo ditë shënohet përmes protestës. Përmes slloganit “MARSHOJMË S’FESTOJMË”. Dhe ky slogan duhet kuptuar mirë. Është mënyra më e mirë për ta evokuar frymën e 8 Marsi, frymë kjo proteste e rezistence, që shprehet përmes Marshimit. Por njëkohësisht për ta manifestuar pabarazinë ende të pranishme në shoqërinë tonë, duke e refuzuar festën si moment kënaqësie për të arriturat, dhe duke insistuar se kemi më shumë nevojë për barazi. Prandaj S’Festojmë. Sepse vazhdojmë të jemi të pakënaqur/a. Sepse vazhdojmë të jemi të pabarabartë/a.

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” mbështet në plotni marshin e nesërm. Ashtu siç mbështesim të gjitha aktivitetet nga cilado organizatë shoqërore që vë në pah pabarazinë dhe insiston në barazi mes gjinive, si një dimension tejet i rëndësishëm i barazisë shoqërore. Sepse ka shumë arsye për të mos festuar.Shoqëria kosovare vazhdon të lëngojë nga një traditë e theksuar patriarkaliteti që gruan e sheh si mjet përdorimi e jo si njeri. Ajo është makina e punëve të shtëpisë, e lindjes dhe rritjes së fëmijëve, por edhe mjet i shfryrjes së frustrimit të burrit. Ndërkohë që kjo mendësi patriarkale e kombinuar me qasjen egërsisht neoliberale të tregëzimit të secilit aspekt të jetës shoqërore, qasje kjo që e racionalizon çdo gjë përmes lenteve të profitit financiar, ka krijuar një realitet shoqëror skajshmërisht të dehumanizuar. Kështu në kushtet e tregut dhe profitit është bërë joprofitabile të punësohen gratë për shkak se ato duhet të lindin fëmijë. Përkundër faktit që sot në Kosovë përqindja e grave me kualifikim universitar (52.1%) e tejkalon dukshëm atë të burrave (47.9%), gratë në përgjithësi marrin pjesë shumë pak në tregun e punës (vetëm 12.7%) krahasuar me burrat (46.6%).

Pra, gratë punojnë në shtëpi. Por, nuk u vlerësohet kjo punë. Në Kosovë ende nuk ka një matje të saktë të punës së papaguar, numrit të orëve që shpenzohet për këto punë, dhe vlera monetare e kësaj pune që investohet në shoqëri. Madje shoqëria jonë e ligjet tona as që e njehin këtë si punë. Ndërkohë që ajo është pjesa më e madhe e produktivitetit shoqëror agregat duke pasur parasysh vëllimin e madh të saj dhe shumëdimensionalitetin e kësaj pune (kujdes ndaj fëmijëve, higjienës, ushqimit, arsimimit, kujdes ndaj të moshuarëve, kujdes ndaj të sëmurëve, etj.).Por jo vetëm kaq. Gratë njëkohësisht janë të përjashtuara realisht nga përvetësimi i pasurisë përkundër faktit që marrin pjesë në krijimin e mirëmbajtjen e saj. Tashëgimi i pasurisë së përbashkët familjare te gratë vazhdon të mbetet shumë i ulët përkundër faktit që ligji u garanton pjesëmarrje të barabartë.

Janë pikërisht këto përjashtime që e bëjnë gruan të pabarabartë. Kështu sistemi ekonomik në njërën anë e shfrytëzon defiçiencën kulturore të patriarkatit, paragjykimet që ky ka ndaj gjinisë, ndërkohë që duke e shfrytëzuar edhe e ushqen. Dhe të dyja bëhen rrethi vicioz i pabarazisë. Kundër së cilës duhet protestuar. Sikur më 8 Mars. Kur do të MARSHOJMË. Sepse nuk mund T’FESTOJMË.



Leave a Reply