Në Istog u diskutuan shërbimet sociale dhe nevojat për mbështetjen e grupeve të cenueshme

Gjendja e shërbimeve sociale, nevojat e qytetarëve dhe roli i asambleistëve në adresimin e tyre ishin në fokus të takimit të parë me Grupin Tematik të Asambleistëve për Politika dhe Shërbime Sociale në Komunën e Istogut. Takimi u mbajt në kuadër të projektit “Dialog Social Gjithëpërfshirës”.

Gjatë takimit u prezantuan shërbimet dhe format e mbështetjes që ofrohen nga Komuna e Istogut për grupe të ndryshme të cenueshme, përfshirë të moshuarit, fëmijët me nevoja të veçanta dhe viktimat e dhunës në familje. Krahas kësaj, u diskutuan nevojat e pambuluara, si dhe kufizimet që lidhen me financimin dhe mungesën e personelit.

Një nga prioritetet e identifikuara ishte krijimi i një qendre me qëndrim ditor për fëmijët me nevoja të veçanta. Asambleistët theksuan nevojën për shërbime logopedike dhe terapeutike, si dhe për qasje më të mirë në asistentë gjatë procesit mësimor. U nënvizua rëndësia e ofrimit të kujdesit dhe shërbimeve të specializuara pas përfundimit të mësimit, si për të mbështetur zhvillimin e fëmijëve, ashtu edhe për të lehtësuar barrën e kujdesit për familjet dhe për t’u mundësuar prindërve pjesëmarrje më të madhe në tregun e punës.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe lidhjes ndërmjet gjendjes ekonomike të familjeve dhe pjesëmarrjes së fëmijëve në arsim. U ngritën shqetësime për braktisjen e hershme të shkollimit dhe përfshirjen e fëmijëve në punë, veçanërisht në mesin e komuniteteve joshumicë. Në këtë kontekst, u theksuan edhe vështirësitë që lidhen me mungesën e mësimdhënësve të kualifikuar dhe sigurimin e personelit të nevojshëm arsimor.

Po ashtu, u diskutua për nevojën e ofrimit të kujdesit për të moshuarit që, si pasojë e migrimit të familjarëve, mbeten të vetëm në shtëpi. Sa u përket viktimave të dhunës në familje, u theksua rëndësia e mbështetjes përmes bashkëpunimit me strehimoren rajonale, mbulimit të shpenzimeve të qirasë dhe ofrimit të ndihmës për nevoja të tjera.

Në përmbyllje të diskutimit, asambleistët ngritën çështjen e kufizimeve financiare dhe mungesës së personelit në Qendrën për Punë Sociale. U theksua nevoja për financim më të qëndrueshëm të shërbimeve sociale dhe për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve komunale, nivelit qendror dhe organizatave që ofrojnë shërbime në këtë fushë.

Si hap i radhës, është paraparë organizimi i një takimi të përbashkët me organizatat që ofrojnë shërbime sociale, aktivistët, qytetarët, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë dhe institucionet përkatëse komunale. Ky takim do të shërbejë për të plotësuar çështjet e ngritura nga asambleistët me përvojat dhe perspektivat e komunitetit, si dhe për të përcaktuar prioritete konkrete për veprim.

Ky aktivitet mbështetet nga programi “EJA Kosovë” i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.