Kosova shënon nivelin më të ulët të pjesëmarrjes në tregun e punës, me normë punësimi 38.6% dhe normë aktiviteti 43.2%. Në krahasim, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia kanë treg më aktiv dhe nivele më të larta punësimi. Maqedonia e Veriut dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës regjistrojnë normë aktiviteti nën 50%, por me dinamika më të ngadalta. Ndërkohë, Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë shënon një normë më të lartë punësimi (57.7%), megjithëse me nivel më të ulët të aktivitetit.
Këto të dhëna u prezantuan në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, i cili publikoi analizën e parë krahasuese për vitin 2024–2025 mbi cilësinë e të drejtave të punëtorëve në Kosovë dhe në vendet e rajonit. Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Activities for Promoting and Advancing Decent Work in Western Balkans Countries”, i mbështetur nga European Fund for the Balkans (EFB), pjesë e Rrjetit të Fondacioneve Evropiane.
Profesoresha Adriana Gashi, nga Fakulteti Ekonomik, në fjalën e saj hyrëse theksoi rëndësinë e trajtimit të çështjeve të punëtorëve në një perspektivë rajonale. Ndërsa Drenusha Canolli, Drejtore e Programit në Institutin për Politika Sociale Musine Kokalari, bëri të ditur se raporti përfshin të dhëna nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, si dhe Mali i Zi.
Rezultatet tregojnë se shumica e vendeve të rajonit përballen me paga të ulëta, orare të zgjatura pune, siguri të pamjaftueshme në vendin e punës dhe dialog social të brishtë. Si pasojë, punëtorët vazhdojnë të mbeten të pambrojtur, ndërsa shkeljet e të drejtave të tyre shpesh nuk adresohen në mënyrë efektive nga institucionet përgjegjëse.
Sa i përket pagës minimale dhe standardit të jetesës, shporta bazike e jetesës nuk mbulohet në asnjë vend të rajonit, ndërsa në disa raste niveli i mbulimit bie nën 40%. Në shumicën e vendeve, paga minimale nuk arrin të mbulojë as gjysmën e kostos reale të jetesës. Kosova ka pagën minimale më të ulët në rajon, 342 euro, ndërsa në Shqipëri ajo është 420 euro (2025), në Maqedoninë e Veriut 392 euro, në Serbi 460 euro, në Republikën Srpska 460 euro, në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës 511 euro, ndërsa Mali i Zi ka pagën minimale më të lartë, 550 euro, deklaroi Visar Ymeri, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari.
Shporta sindikale nuk mbulohet në asnjë vend të rajonit. Sa i përket orareve të punës dhe mbingarkesës, shumica e vendeve raportojnë tejkalim të orarit ligjor, veçanërisht në sektorët e ndërtimit, prodhimit dhe shërbimeve. Kosova paraqitet si përjashtim negativ, duke qenë i vetmi vend ku puna jashtë orarit nuk paguhet sipas normës shtesë, pavarësisht harmonizimit të kuadrit ligjor me standardet evropiane.
Të dhënat tregojnë nivel të lartë rreziku në vendin e punës dhe mungesë të resurseve inspektuese në shumicën e vendeve të rajonit. Numrin më të lartë të aksidenteve fatale në punë e shënon Serbia, me mbi 50 raste vdekjeje në vit. Maqedonia e Veriut raporton 17 raste, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës 9 vdekje dhe 438 lëndime serioze, Republika Srpska 10 vdekje dhe 97 lëndime serioze, ndërsa Kosova ka regjistruar 7 raste vdekjeje në vitin 2024.
Të dhënat rajonale tregojnë gjithashtu se gratë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara dhe të nënpaguara në tregun e punës. Kosova shënon një nga nivelet më të ulëta të pjesëmarrjes së grave në rajon, me 34.7%, ndërsa në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës vetëm 30.6% e grave janë të punësuara. Republika Srpska ka shënuar rritje graduale, por hendeku gjinor mbetet i madh. Në këtë aspekt, Maqedonia e Veriut paraqitet më mirë, me hendek gjinor prej 16.5%. Për Shqipërinë dhe Malin e Zi, situata vlerësohet si mesatare, por mungojnë të dhëna të plota krahasuese.
Në diskutimin mbi pabarazinë gjinore, një tregues kyç mbetet hendeku i pagave mes grave dhe burrave. Në Kosovë, ky hendek arrin në 18.6%, ndërsa në Serbi varion ndërmjet 13–14% dhe në Maqedoninë e Veriut është rreth 10%.
Raporti synon të nxisë institucionet publike, sindikatat, punëdhënësit dhe organizatat e shoqërisë civile që të rrisin standardet e punës dinjitoze në Kosovë dhe në mbarë rajonin.Ky shënon vitin e dytë që Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari dhe Qendra për Politikat e Emancipimit, në kuadër të platformës Decent Work Balkans dhe në bashkëpunim me organizata partnere nga i gjithë rajoni, prodhojnë një analizë krahasuese të përditësuar mbi të drejtat e punës dhe kushtet socio-ekonomike në Ballkanin Perëndimor.





