Përmirësimi i funksionimit të kuvendeve komunale, forcimi i rolit të asambleistëve dhe identifikimi i prioriteteve të qytetarëve ishin në fokus të sesionit të avokimit të organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari me asambleistët e Kuvendit Komunal të Istogut.
Aktiviteti u mbajt në Istog dhe mblodhi asambleistë të Kuvendit Komunal, përfshirë kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë. Ai u realizua në kuadër të aktiviteteve të institutit për fuqizimin e përfaqësimit qytetar dhe avancimin e qeverisjes lokale gjithëpërfshirëse, duke krijuar një hapësirë për reflektim mbi përvojat e deritanishme të asambleistëve, identifikimin e sfidave në ushtrimin e mandatit dhe diskutimin e mundësive për përmirësimin e funksionimit të Kuvendit Komunal dhe të përfaqësimit të qytetarëve.
Sesioni u lehtësua nga Fisnik Rexhepi dhe Senad Šabović, të cilët trajtuan aspektet ligjore të funksionimit të kuvendeve komunale, kompetencat dhe përgjegjësitë e asambleistëve, si dhe rolin e tyre në mbikëqyrjen e ekzekutivit komunal dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre lidhur me ushtrimin e mandatit dhe evidentuan një sërë sfidash që ndikojnë në funksionimin efektiv të kuvendeve komunale. Në veçanti, u diskutua për nevojën e përmirësimit të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe akteve nënligjore që rregullojnë funksionimin e kuvendeve komunale, duke theksuar se disa dispozita aktuale kufizojnë mundësitë për reforma më substanciale dhe përmirësimin e procedurave të brendshme.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet grupeve politike në kuvend, duke vlerësuar se adresimi i nevojave të qytetarëve kërkon dialog dhe koordinim të vazhdueshëm përtej dallimeve politike. U theksua se, pavarësisht pozitës apo opozitës, asambleistët kanë rol të rëndësishëm në ngritjen e çështjeve me interes publik dhe në mbikëqyrjen e zbatimit të politikave komunale.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua funksionimit të Komitetit për Komunitete, ku u vlerësua se ky mekanizëm luan rol të rëndësishëm në përfaqësimin e komuniteteve joshumicë, ndërsa u identifikuan mundësi për forcimin e mëtejshëm të pjesëmarrjes dhe bashkëpunimit të të gjithë anëtarëve të tij.
Në kuadër të sesionit, asambleistët identifikuan një sërë prioritetesh që kërkojnë vëmendje të shtuar në periudhën e ardhshme. Ndër çështjet më të theksuara ishin përmirësimi i infrastrukturës lokale, përfshirë ndriçimin publik, trotuaret dhe rrugët në zonat rurale, rritja e sigurisë në afërsi të shkollave, ndërtimi i hapësirave rekreative dhe sportive për të rinjtë dhe fëmijët, si dhe zgjerimi i kapaciteteve të çerdheve.
Po ashtu, pjesëmarrësit diskutuan për nevojën e investimeve në transportin publik të nxënësve, përmirësimin e qasjes për personat me aftësi të kufizuara në institucionet publike, trajtimin e problemit të qenve endacakë, ndërtimin e shtigjeve të biçikletave, si dhe avancimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kanalizimit në zonat ku këto shërbime ende mungojnë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve, duke përfshirë nevojën për përmirësimin e infrastrukturës së shkollave, digjitalizimin e proceseve arsimore dhe adresimin e shqetësimeve që lidhen me shitjen e produkteve të papërshtatshme në afërsi të institucioneve arsimore. Përmes këtij aktiviteti, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari vazhdon të kontribuojë në forcimin e dialogut ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur dhe në promovimin e qeverisjes lokale më transparente, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).


