IPS Musine Kokalari dhe SBAShK nisin bashkëpunimin për fuqizimin e rolit të sindikatës së arsimit

Zhvillimi dhe fuqizimi i rolit të sindikatës së arsimit ishte fokusi i takimit konsultativ ndërmjet përfaqësuesve të Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

Në takim morën pjesë Visar Ymeri, Donika Marku Gashi dhe Drenusha Canolli nga Instituti, si dhe nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i përgjithshëm Ymer Ymeri nga SBAShK, të cilët prezantuan sfidat dhe prioritetet e sindikatës.

Gjatë diskutimit u theksua se SBAShK, që përfaqëson mbi 80% të punonjësve të arsimit, ka nevojë për fuqizim të kapaciteteve sindikale, veçanërisht në dialogun social, negocimin kolektiv dhe komunikimin me institucionet. Në këtë drejtim, u nënvizua rëndësia e mbështetjes me hulumtime dhe analiza profesionale për ndërtimin e argumenteve më të qëndrueshme.

Si prioritete kryesore u identifikuan digjitalizimi dhe modernizimi i proceseve sindikale, si dhe aktivizimi i të rinjve, barazia gjinore dhe përmirësimi i komunikimit në nivel të shkollave.

U theksua gjithashtu mungesa e përfshirjes së mësimdhënësve të rinj për shkak të komunikimit joefektiv në nivel lokal, duke kërkuar strategji për pjesëmarrje më të gjerë. Ndërkohë, mungesa e dialogut institucional dhe adresimi i pamjaftueshëm i çështjeve si dhuna në shkolla mbeten sfida kryesore.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.