IPS Musine Kokalari dhe asambleistët e Prizrenit diskutojnë prioritetet për politika sociale më të koordinuara dhe të qëndrueshme

Politikat dhe shërbimet sociale në Komunën e Prizrenit kanë nevojë për koordinim më të mirë institucional, financim më të qëndrueshëm dhe përfshirje më të madhe të organizatave të shoqërisë civile në hartimin dhe monitorimin e politikave lokale.

Ky ishte një nga përfundimet kryesore të tryezës së diskutimit të organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, me kërkesë të Grupit Tematik të Asambleistëve për Politika Sociale në Prizren.

Diskutimi synoi të ofrojë një pasqyrë më të plotë mbi gjendjen e politikave dhe shërbimeve sociale në komunë, duke identifikuar nevojat dhe sfidat e grupeve të cenueshme, si dhe përvojat e organizatave që veprojnë në këtë fushë.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, përfshirë Drejtorinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, organizata që ofrojnë shërbime sociale, aktivistë dhe asambleistë të Komunës së Prizrenit.

Pjesëmarrësit theksuan kontributin e rëndësishëm të organizatave të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara, fëmijët në situatë rruge, viktimat e dhunës në familje, personat e moshuar dhe familjet në nevojë. Megjithatë, qëndrueshmëria e këtyre shërbimeve mbetet e rrezikuar për shkak të financimit të pamjaftueshëm, vonesave në subvencione, mungesës së stafit dhe sfidave në sigurimin e vazhdimësisë së tyre. Në këtë kontekst, u kërkua koordinim më i rregullt ndërmjet komunës, Qendrës për Punë Sociale dhe organizatave që ofrojnë shërbime dhe atyre që kontribuojnë në zhvillimin e politikave sociale në nivel lokal.

Gjithashtu, u theksua nevoja për përfshirje më të madhe të organizatave në hartimin dhe monitorimin e politikave sociale, si dhe për më shumë transparencë në procesin e vlerësimit dhe financimit të projekteve.

Ndër rekomandimet kryesore u veçuan krijimi i një databaze të familjeve në nevojë, hartëzimi social të grupeve të cenueshme, monitorimi i zbatimit të planeve dhe strategjive komunale, si dhe aftësimi profesional i përfituesve të skemave sociale. Po ashtu, u kërkua mbështetje më e qëndrueshme për strehimoret, organizatat e personave me aftësi të kufizuara dhe shërbimet për fëmijët dhe familjet në situata të vështira.

Gjetjet e këtij diskutimi do të shërbejnë si bazë për hartimin e një raporti me rekomandime për Kuvendin Komunal të Prizrenit. Raporti synon të mbështesë planifikimin financiar të komunës, të bazuar në dëshmi, duke ndihmuar në përcaktimin më të qartë të prioriteteve dhe orientimin e buxhetit drejt nevojave reale të qytetarëve dhe grupeve të cenueshme.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.