Mbahet tryeza “Përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi”

Mundësimi i tregtisë së lirë, përcaktimi i kornizës rajonale për zbatimin e Nenit 6 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve; Mundësimi i vendimeve të CEFTA dhe shfuqizimi i taksimit të dyfishtë dhe qasja e barabartë në tregun e punës; janë disa nga rekomandimet e hulumtimit “Përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi” të përgatitur nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi.

Ky dokument propozimesh i bazuar në gjendjen aktuale të marrëveshjeve rajonale për tregti e bashkëpunim, si dhe në linjë me parimet bazë të Marrëveshjes së Brukselit për marrëdhënien ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, si një nga shtyllat e rëndësishme drejt marrëveshjes përfundimtare, është prezentuar sot në Prishtinë gjatë një tryeze.

Me këtë rast është konluduar se bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë është në interes të paqes dhe zhvillimit rajonal.

“Duhet të eksplorohet bashkëpunimi i mundshëm në sektorin e energjisë. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet ta njohin nevojën e thellimit të bashkëpunimit në sektorin e energjisë, nevojën për zhvillim afatgjatë dhe tranzicion energjetik në përputhje me Agjendën e Gjelbër, duke u angazhuar në eksplorimin e mundësive për zgjerimin këtij bashkëpunimi”, ka thënë z.Ilir Deda, në cilësinë e ekspertit të angazhuar në këtë raport.

Përshpejtimi i zbatimit të projekteve të transportit, si përshpejtimi i punës drejt lidhjes hekurudhore dhe vendosjen e një fluturimi direkt ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. si dhe fillimi i një diskutimi strategjik për komplementaritetin e ekonomive janë disa nga rekomandimet.

“Kosova dhe Serbia duhet të kthehen nga kundërshtarë në partner të bashkëpunimit, duke punuar së bashku dhe duke hartuar një plan të përbashkët zhvillimor për katër komunat veriore të Kosovës, qoftë përmes krijimit të zonës së lirë në Mitrovicën e Veriut, ose përmes programit të investimeve të përbashkëta për të filluar partneritetin e saj në paqe”, ka thënë z.Aleksandar Pavlović.

Pas prezantimit, përfaqësues të Ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Britanisë së Madhe, organizatave joqeveritare, mediave, etj, kanë bashkëbiseduar mbi propozimet e paraqitura dhe mbi mundësitë e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë.

Ky publikim do të finalizohet gjatë ditëve në vijim, pasi të përfshihen edhe sugjerimet nga pjesëmarrësit në tryezë.

Raporti është përpiluar në kuadër të projektit “The Implementation of Article VI of Agreement on the Path to Normalization of Relations between Kosovo and Serbia” i mbështetur nga Peaceful Change Initative si pjesë e projektit “Amplifying Local Voices for Equitable Development” me përkrahjen e UK Aid.

18 mars 2024



Leave a Reply