Shkruan: Mentor Selimi*
Çdo vit, gjithnjë e më shumë të rinj nga Dragashi marrin vendimin e vështirë për t’u larguar nga vendlindja. Ata nuk po largohen për shkak të dallimeve etnike, kulturore apo gjuhësore. Shumica e tyre po largohen sepse nuk po shohin të ardhme të sigurt për veten në vendin ku janë rritur. Ky fenomen është bërë një nga sfidat më serioze për zhvillimin e Dragashit dhe për të ardhmen e të gjitha komuniteteve vendore.
Kosova vazhdon të humbasë mijëra qytetarë çdo vit përmes migrimit. Pas këtyre numrave fshihet një realitet më i thellë: shumica e atyre që largohen janë të rinj. Në Dragash, ky fenomen nuk po prek vetëm komunitetin joshumicë (goranë dhe boshnjakë), por edhe komunitetin shumicë (shqiptarë).
Në biseda me të rinj dëgjohet shpesh i njëjti shqetësim: mungesa e vendeve të punës, mundësitë e kufizuara për zhvillim profesional dhe ndjenja se nuk vlerësohen mjaftueshëm puna dhe talenti. Shumë të rinj përfundojnë studimet ose trajnimet profesionale dhe përballen me një realitet ku perspektiva për ndërtimin e një jete të qëndrueshme është e pasigurt. Si rezultat, largimi nga vendlindja po shihet gjithnjë e më shumë si alternativa më e mundshme.
Pasojat e këtij fenomeni janë të dukshme. Familjet po ndahen, shkollat po regjistrojnë më pak nxënës dhe komunitetet po humbin energjinë e brezit të ri. Kur largohen të rinjtë, nuk largohet vetëm fuqia punëtore. Largohen idetë e reja, kreativiteti, potenciali për sipërmarrje dhe mundësia për zhvillim afatgjatë. Nëse ky trend vazhdon, Dragashi rrezikon të përballet me plakje të popullsisë dhe me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të ruajtur vitalitetin ekonomik dhe shoqëror.
Në një kohë kur diskursi publik fokusohet shpesh te dallimet etnike, realiteti i përditshëm tregon se të rinjtë ndajnë të njëjtat shqetësime. Ata kërkojnë punë dinjitoze, arsim cilësor, institucione funksionale dhe mundësi për të ndërtuar një të ardhme në vendin e tyre. Kjo sfidë e përbashkët mund të shërbejë edhe si një pikëtakim mes komuniteteve, duke nxitur bashkëpunim dhe dialog rreth interesave të përbashkëta.
Përgjegjësia për adresimin e këtij problemi nuk u takon vetëm të rinjve. Institucionet lokale dhe qendrore duhet të krijojnë më shumë mundësi për arsimim, punësim dhe zhvillim ekonomik, duke i përfshirë të rinjtë në proceset e vendimmarrjes dhe zhvillimit të komunitetit.
Migrimi po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në shumë fshatra të Opojës. Por ndryshe nga migrimi tradicional drejt vendeve të Evropës Perëndimore, sot një pjesë e madhe e banorëve të rinj po zhvendosen drejt qyteteve më të mëdha të Kosovës, si Prizreni ose Prishtina. Ata po kërkojnë atë që nuk po e gjejnë në vendlindje: mundësi më të mira për arsim, punësim dhe zhvillim personal. Pas përfundimit të shkollës së mesme ose studimeve universitare, shumë prej tyre përballen me një realitet të vështirë. Mundësitë për punë janë të kufizuara, bizneset lokale janë të pakta dhe perspektiva për të ndërtuar një karrierë afatgjatë mbetet e paqartë.
Prizreni ofron më shumë mundësi për shkollim, punësim dhe një jetë më dinamike, ndërsa Prishtina vazhdon të mbetet qendra kryesore ekonomike, arsimore dhe institucionale e vendit. Për shumë të rinj nga Opoja, zhvendosja nuk është zgjedhje, por nevojë.
Ndërsa në pjesën e Gorës, synimi kryesor i shumë të rinjve nuk është ndërtimi i jetës në vendlindje, por emigrimi drejt shteteve të Bashkimit Evropian. Gjermania, Austria, Franca, Italia dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore janë bërë pikë referimi për një brez që po e sheh të ardhmen jashtë kufijve të Kosovës.
Kjo nuk është një zgjedhje e rastësishme, por rezultat i një realiteti të gjatë socio-ekonomik. Në shumë fshatra të Gorës, mundësitë për punësim janë të kufizuara dhe të paqëndrueshme. Një problem tjetër i vazhdueshëm mbetet furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike. Ekonomia lokale mbështetet kryesisht në punë sezonale, remitanca nga diaspora dhe aktivitete të vogla familjare, të cilat nuk ofrojnë siguri afatgjatë për të rinjtë që kërkojnë pavarësi dhe stabilitet.
Megjithatë, situata nuk është e pashpresë. Dragashi ka burime natyrore, trashëgimi kulturore dhe mundësi për zhvillimin e turizmit që shumë rajone do t’i kishin zili. Por, këto përparësi nuk mjaftojnë nëse nuk shndërrohen në mundësi konkrete për punësim dhe zhvillim. Nevojiten politika që mbështesin sipërmarrjen, investime në turizëm dhe bujqësi moderne, programe për aftësimin profesional dhe hapësira ku të rinjtë mund të ndikojnë realisht në vendimmarrje. Mbi të gjitha, nevojitet vullnet politik për ta trajtuar këtë çështje si prioritet dhe jo si statistikë.
Gjatë muajve të verës, Dragashi ndryshon fytyrë. Fshatrat dhe qyteza mbushen me njerëz, rrugët gjallërohen dhe ritmi i jetës rritet ndjeshëm. Kthimi i diasporës nga vendet e Bashkimit Evropian sjell jo vetëm një rritje të popullsisë përkohësisht, por edhe një rritje të aktivitetit ekonomik lokal. Për disa javë, ekonomia lokale fiton një gjallëri që mungon gjatë pjesës tjetër të vitit. Megjithatë, ky fluks mbetet i shkurtër dhe i përkohshëm. Mundësitë e punësimit kufizohen në disa javë gjatë verës, kryesisht në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë së vogël. Konsumi rritet, bizneset familjare përfitojnë dhe shërbimet lokale gjallërohen.
Një nga problemet më të rëndësishme për qytetarët e Dragashit është mungesa e linjave të rregullta të transportit që e lidh Dragashin me Prizrenin. Edhe pse rruga që lidh Dragashin me Prizrenin është në gjendje të mirë, mungesa e linjave të rregullta dhe të shpeshta të transportit mbetet një sfidë e vazhdueshme për banorët. Shumë qytetarë, veçanërisht të rinjtë, studentët, punëtorët dhe të moshuarit, varen nga transporti për të pasur qasje në arsim, punësim, shërbime shëndetësore dhe aktivitete të tjera të përditshme.
Linjat ekzistuese shpesh nuk i përshtaten nevojave reale të qytetarëve, ndërsa mungesa e orareve më të shpeshta kufizon lëvizjen dhe mundësitë ekonomike. Për banorët e fshatrave rurale sidomos të pjesës së Gorës, ky problem bëhet edhe më i theksuar, pasi qasja në qendrën komunale dhe më pas në Prizren shpesh kërkon kohë dhe shpenzime shtesë.
Një sistem më funksional i transportit nuk do të përmirësonte vetëm lëvizjen e qytetarëve, por do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe cilësinë e jetës në komunë.
Furnizimi me energji elektrike, sidomos në zonat rurale, mbetet një problem i vazhdueshëm. Ndërprerjet e shpeshta dhe mungesa e stabilitetit energjetik ndikojnë negativisht jo vetëm në jetën e përditshme të qytetarëve, por edhe në funksionimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. Investimet më serioze në rrjetin elektrik janë të domosdoshme për të krijuar kushte më të sigurta dhe më të parashikueshme për zhvillim ekonomik.
Menaxhimi i mbeturinave dhe çështjet mjedisore paraqesin një problem në rritje. Mungesa e një sistemi efikas të grumbullimit dhe trajtimit të mbeturinave ka çuar në krijimin e deponive ilegale në disa zona. Këto deponi jo vetëm që dëmtojnë pamjen natyrore të rajonit, por përbëjnë edhe rrezik për shëndetin publik dhe për ekosistemin lokal.
Këto sfida nuk janë të izoluara nga njëra-tjetra. Ato formojnë një cikël që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e përgjithshëm të komunës. Mungesa e vendeve të punës, furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike dhe problemet mjedisore krijojnë një realitet ku investimet janë të kufizuara dhe ku të rinjtë shohin më pak arsye për të qëndruar.
Pa këto ndërhyrje, çdo përpjekje për zhvillim ekonomik apo për mbajtjen e të rinjve në komunë do të mbetet e kufizuar. Sepse zhvillimi fillon pikërisht aty ku fillojnë kushtet bazë të jetës: vende të punës, energjia dhe mjedisi.
Përvoja e vendeve të tjera në rajon tregon se migrimi i të rinjve nuk mund të ndalet plotësisht, por mund të reduktohet kur krijohen kushte reale për zhvillim. Komunat që kanë investuar në inovacion, turizëm lokal, bujqësi moderne dhe programe për të rinjtë kanë arritur të mbajnë më shumë banorë dhe të krijojnë perspektivë afatgjatë. Dragashi ka potencial të konsiderueshëm natyror, kulturor dhe njerëzor. Sfida mbetet shndërrimi i këtij potenciali në mundësi konkrete që do t’u jepnin të rinjve arsye për të qëndruar.
*Mentor Selimi është ekonomist dhe punon si zyrtar i lartë ekzekutiv në Komunën e Dragashit
(Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED)).