Draft-Kodi Civil t’i zgjerojë të drejtat e njeriut

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të diskutojë sot në seancën plenare për Draft-Kodin Civil, si hap drejt unifikimit të së drejtës detyrimore, familjare e të trashëgimisë. Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari shpreh shqetësimin e saj për dy çështje me rëndësi:Së pari, teksti i këtij Draft-Kodi e njeh të drejtën e fejesës dhe martesës mes burrit dhe gruas, ndërsa këtë të drejtë nuk ua njeh personave me gjini të njejtë, të cilëve ua njeh vetëm të drejtën e bashkësisë së regjistruar civile. Problemet që dalin nga këto nene janë të shumëfishta. Nuk ka definim të asaj se çka është “burri” dhe çka është “gruaja” në definicionet e nenet e këtij kodi. Më tutje, kjo bashkësi fejese ose martese njihet si e drejtë ndërmjet dy bashkëshortëve “të sekseve të ndryshme”, pa e njohur fare kategorinë e personave që nuk janë të deklaruar as si “burrë” e as si “grua” (non-binary), si dhe e personave trans-gjinor.

Kundërthënia e brendshme mes neneve bie mbi atë se Kodi njeh të drejtat dhe obligimet e njëjta për bashkëjetesën dhe për martesën. Nëse është kështu, atëherë shtrohet pyetja se përse martesa u lejohet vetëm personave të gjinive të ndryshme, kur bashkëjetësa mes personave me gjini të njejtë sipas këtij kodi bartë të njejtat të drejta dhe obligime. Çështje tjetër për shqetësim paraqet edhe fakti që bashkëjetesa mes personave me gjini të njejtë do të rregullohet me ligj të veçantë, duke mos e njohur fare njësinë e tillë si familje, por duke e ndarë atë si kategori të veçantë.Ky Kod bie në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila thotë që “çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje”, duke u njohur këtë të drejtë të gjithë qytetarëve pa kufizime gjinore.

Draft-Kodi Civil me kufizimet e tij e mohon këtë të drejtë.Së dyti, deklarimet e djeshme të disa deputetëve që nuk do ta votojnë Draft-Kodin Civil në lexim të parë pikërisht për shkak të njohjes së bashkësisë civile mes personave të gjinive të njëjta paraqet shqetësim dhe është e papranueshme. Deputetët e Republikës janë zgjedhur për ta zhvilluar demokracinë në vendin tonë dhe për t’i zgjeruar të drejtat e qytetarëve të saj e jo për t’i mohuar ato. Instituti Për Politika Sociale Musine Kokalari dënon një sjellje të tillë dhe u bën thirrje deputetëve jo vetëm që ta votojnë, por edhe t’i korrigjojnë kundërthëniet mes neneve dhe të njohin të drejtën e plotë për fejesë, martesë dhe krijim të familjes për të gjithë qytetarët e saj pa diskriminim.

24 shkurt 2022



Leave a Reply