Analizë Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021 – 2025

Programi qeverisës i miratuar javën e kaluar në Qeverinë e Republikës së Kosovës i cili do të diskutohet sot në Kuvendin e Republikës paraqet synimet kryesore të qeverisë për mandatin e saj 4 vjeçar. Në 57 faqe janë përmbledhur masat konkrete dhe synimet vlerore të ekzekutivit përmes të cilave qeveria aktuale mëton përmirësimin e gjendjes në sektorët shoqëror të Kosovës.

Përmbledhtazi, ky dokument nuk e ka formatin e dokumentit ekzekutiv, pra atij të zbatueshëm. Në asnjë prej masave/synimeve të përmendura nuk ka afat kohor të zbatimit, gjë që e vështirëson tejmase kuptimin e programit. Në anën tjetër, edhe kur ka masa konkrete, ato nuk konkretizojnë mënyrat e financimit të tyre, që do të mundësonte kalkulimin e mundësisë së zbatimit të masës. Për më tepër dokumenti nuk krijon mundësinë e përfytyrimit të transformimit qeverisës, ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Në shumicën e rasteve nuk flet për asnjë analizë të efekteve të masave konkrete. Sëkëndejmi programi qeverisës e len të mangët edhe analizën prej nga nisemi, e edhe atë se ku po shkojmë.

Në 57 faqet e programit qeveritar, në secilin kapitull e nënkapitull, përmes tekstit, qeveria ka treguar se do të angazhohet, në kuptimin që ajo do të zotohet, e që në programin qeveritar do të duhej të ishin politika konkrete, të qarta dhe të sakta se cilat janë dhe kur do të bëhen ato.

Nga leximi i këtij raporti del se 8 herë përmendet fjalia: “vizioni i qeverisë”, 41 herë: “Qeveria do të angazhohet”, 21 herë : “do të angazhohemi”.

Instituti “Musine Kokalari” ka bërë vlerësimin e disa masave që kanë të bëjnë me të drejtat e barazinë sociale, punësimin dhe të drejtat e punëtorëve, pozitën e gruas në shoqëri, si dhe bashkëjetesën dhe integrimin ndëretnik.

1. Punësimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Ky është një pej prioriteteve kryesore elektorale të Kryeministrit dhe një prej pjesëve me voluminoze të Programit.

Masat kryesore në këtë fushë ndërlidhen me reformën institucionale për të cilën zotohet qeveria, duke krijuar 2 institucione ambicioze të cilat do të ndërhyjnë drejtpërdrejt në shpejtësinë e zhvillimit të ekonomisë.

a) Fondi Sovran – i cili do të merr në pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do të kujdeset për valorizimin e tyre e rritjen e vlerës së ndërmarrjeve publike, përfshirë përmirësimin e qeverisjes korporative në to. Në program thuhet se qeveria do të angazhohet në krijimin e Fondit Sovran. Nuk jepet asnjë afat kohor se kur mund të krijohet Fondi. Nuk flitet fare se pse ky Fond parashihet të jetë më efikas në menaxhimin e ndërmarrjeve publike krahasuar me atë sesi e bën Ministria e Zhvillimit Ekonomik sot. Përmendet shkurt se Fondi do të mundësojë krijimin e kushteve për investime të jashtme e qasje në tregjet e kapitalit për asetet strategjike. Nuk saktësohet nëse kapitali nga jashtë do të vijë përmes bonove korporative që mund t’i shesin ndërmarrjet, apo përmes aksioneve që do t’i shesin ato? Pra, përmes privatizimit të përqindjeve të caktuara të ndërmarrjeve. Po ashtu nuk saktësohet se si do të shmanget ndërsubvencionimi i ndërmarrjeve publike (p.sh. marrja e parave nga Telekomi dhe investimi i tyre në Trepçë), gjë kjo e ndaluar me rregullat e BE-së.

a) Banka Zhvillimore e Kosovës – e cila do të jetë bankë investuese e përqendruar në sektorët strategjikë të ekonomisë për rritjen e qasjes në kapital për ato ndërmarrje që krijojnë vend pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar. Nëse krijohet Banka Zhvillimore do të ishte banka e parë në Kosovë e themeluar me kapital publik. Por as në këtë rast, Programi nuk jep ndonjë afat ose mënyrë se si dhe kur do të themelohet banka.

Paga minimale për 1 vit – Për secilin të ri që punësohet për herë të parë është një masë e propozuar për ta nxitur punësimin e të rinjve. Ky lloj i subvencionimit të pagës për të punësuarit e rinj është përdorur edhe në vendet tjera si përgjigje ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga Pandemia. Qeveria, përkundër se angazhohet për politika aktive të punësimit të grave, nuk e bën të njëjtin subvencionim edhe për punësimin e grave. Natyrisht që punësimi i të rinjve është me interes për shoqërinë tonë. Por gjendjen edhe më të rëndë e kemi me punësimin e grave. Një masë e tillë e përqendruar te punësimi i grave do ta sanonte sadopak këtë gjendje.

Fuqizimi ekonomik i grave – Edhe pse nuk është masë e qartë megjithatë e përmend punësimin e e grave në mënyrë të ndarë nga politikat e përgjithshme të punësimit. Mirëpo, Programi nuk jep asgjë konkrete përveç se “do të zbatohen masa aktive për punësimin e grave dhe masa mbështetëse për sigurimin e likuiditetit për bizneset që udhëhiqen nga gratë.” Çfarë masa aktive? Cili do të jetë efekti i projektuar i kësaj mase?

Rritja e pagës minimale në 250 euro – Është njëra prej politikave kryesore të qeverisë në raport me kushtet e punës dhe të drejtat e punëtorëve. Në këtë pikë, Qeveria është e heshtur për kohën se kur do të merret vendimi për rritjen e pagës. Po ashtu nuk tregon se ku e ka bazuar këtë shumë, në çfarë përllogaritjesh, si dhe cili është vlerësimi i Këshillit Ekonomiko-Social (KES) për këtë gjë, marrë parasysh se me Ligj, KES bën propozimin e Kryeministri e dekreton vendimin për pagën minimale. Nëse e bëjmë një përllogaritje i bie që qeveria e tanishme do ta rrisë pagën minimale për 120 euro, në krahasim me 130 eurot e tanishme. Në përqindje i bie 48% më e madhe e duke e shpërndarë nëpër vite, që nga mosndryshimi i pagës nimimale nga viti 2010 i bie se qeveria e tanishme e rrit këtë pagë nga 12 euro për vit. Ndërsa, nëse e bëjmë përllogaritjen në raport me pagën tjetër minimale 170 euro i bie se qeveria e tanishme do ta rrisë për 80 euro, e në përqindje i bie 32%, ndërsa e shpërndarë nëpër vite i bie se rritja do të jetë 8 euro për secilin vit.

Krahas kësaj mase qeveria ka paraparë edhe rritjen e të ardhurave të liruara nga tatimi nga 80 euro sa është aktualisht në pragun e pagës minimale. Pra në 250 euro. Këtë masë e ka paraparë si mekanizëm i rritjes së kërkesës agregate në njërën anë dhe masë për luftimin e varfërisë në anën tjetër. Por në këtë pikë nuk bëhet e qartë se si do të zhvendoset progresiviteti aktual në tatimin në të ardhura personale. Sot, qytetarët e Kosovës paguajnë kështu: 0-80 euro 0%; 80-250 euro 4%; 250-450 euro 8%; 450 euro 10%. Pa e ditur këtë progresivitet është e vështirë ta kalkulojmë efektin real që kjo masë do ta ketë në pagat në Kosovë (ta zëmë pagën mesatare).

Mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimi i kushteve në punë janë dy prioritetet e tjera të kësaj qeverie. Por, nuk është treguar cili ligj duhet të ndryshuar, dhe cili mekanizëm do të fuqizohet në zbatimin e ligjit, kur do të bëhet kjo e sa do të jetë kostoja e një zbatimi të tillë?

Nuk është treguar se sa do të jetë rritja e numrit të inspektorëve, sa do të jetë kostoja buxhetore, a do të rriten ato paga?

2. Shëndetësia

Në masën më të madhe, politikat qeveritare në sektorin e shëndetësisë dhe të mbrojtjes sociale, janë të përgjithësuara dhe në asnjë moment të konkretizuara, se si do të realizohen, ku do të merren mjetet për realizimin e tyre, e deri në cilin vit do të jenë të kryera, përderisa programi flet për një periudhë qeverisje 4 vjeçare (2021-2025).

Në sektorin e shëndetësisë flitet për vizionin se duhet të kemi një popullatë të shëndetshme nëpërmjet ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të sigurta, por duke mos treguar cilat shërbime do të përmirësohen dhe cilat do të shtohen. Në asnjërin nga faqet e saj nuk tregohet se cka përfshin “reforma shëndetësore”, e as nuk ka ndonjë afat se kur do të vijë për miratim ‘Strategjia e re të Sektorit të Shëndetësisë’.

Rishikimi i kornizës ligjore të shëndetësisë, si parakusht për reformën e nevojshme në sistemin shëndetësor, parashihet si një ndër aspektet që do të ndikojë në këtë sistem, por sërish nuk tregohet se çka përfshijnë ndryshimet në ligjin për shëndetësinë. Në asnjërën nga faqet e programit qeveritar nuk përmendet funksionalizimi i plotë i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, se a do të nisë ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit, obligim ligjor nga Ligji për Kryeqytetin, se çka do të ndodh me objektin e ndërtuar të Spitalit të Ferizajt, e me zotimin për ndërtimin e Spitalit në Podujevë.

Tek sigurimet shëndetësore publike nuk tregohet pse është i nevojshëm plotësimi dhe ndryshimi i ligjit për Sigurimin Shëndetësore, e nëse do të ndryshohet pse do të ndryshohet e kur do të vijë për miratim, meqenësë një ligj i tillë, për t’u zbatuar kërkon përpjekje të mëdha qeveritare. Për më tepër, edhe kur thuhet se do të fuqizohen kapacitetet administrative njerëzore dhe infrastrukturore në Fondin për Sigurime Shëndetësore, si parakushte për fillimin e grumbullimit të kontributeve, nuk tregohet se cili do të jetë stafi, sa do të jetë kostoja dhe kur do të fillojë ky proces? Njejtë është situata edhe me fillimin e kompletimit të Sistemit informativ shëndetësor dhe Udhërrëfyesit klinikë

3. Mbrojtja sociale

Sipas programit, synimi i qeverisë është që t’i mbështesë grupet e cenuara, ristrukturimin e skemave sociale dhe pensionale, duke dizajnuar skema për punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe për të gjithë ata që janë të përfshirë në skemat sociale. Por, në program nuk tregohet se sa qytetarë janë të papunë, sa qytetarë që janë të përfshirë në skemat sociale do të bëhen pjesë e politikave sociale, në cilat punë do të angazhohen këta persona, nga do të merren mjetet për realizimin e kësaj pike të programit.

Rimbursimi i familjeve që kanë të ardhura të ulëta – Zbatimi i programit të shtesave për fëmijët, sërish nuk tregohet numerikisht se prej nga do të merren ato para, do të barten nga investimet kapitale apo nga ndonjë zë tjetër buxhetor.

Ndryshimi i pushimit të lehonisë dhe prindëror – Nuk tregohet se në cilin vit do të ndryshohen dy ligjet nga ky sektor, e cila do të jetë kostoja buxhetore.

Për nënat që janë të papuna për 6 muajt e pushimit të lehonisë – Do të bëhet kompensimi me një page minimale prej 250 eurosh. Sërish, nuk tregohet se a është bërë ndonjë përllogaritje e kostos buxhetore, apo kjo do të jetë njëra nga zotimet që s’do të mbërrijë të realizohet. Sipas, vjetarit statistikor të Kosovës për vitin 2020, del se numri i lindjeve të gjalla në vitin 2019 ishte 21.798. Nëse nga këto lindje, del se 70% e grave janë të papuna. I bie se buxhetit të qeverisë do t’i kushtojë 22.887.000 Euro, pa e përfshirë këtu angazhimin e administratës shtetërore për zbatimin e kësaj politike.

Rishikimi dhe ristrukturimi i skemave aktuale sociale dhe pensionale – Nëpërmjet pastrimit të listave të përfituesve të skemave sociale dhe pensionale. Këtu nuk flitet e as nuk tregohet se një pastrim i tillë i listave, a do ta pasojë fuzionimin e të gjitha skemave sociale në një kod pensional, apo do të vazhdojë me ligjet e njëjta të shpërndara për sektorë të caktuar.

4. Të drejtat e njeriut dhe integrimi ndëretnik

Çështja e të drejtave të njeriut, komuniteteve dhe barazisë gjinore është pjesë shumë sipërfaqësore dhe e përgjithësuar e programit qeverisës. Ajo nuk duket të jetë prioritet.

Vetëm dy faqe nga më shumë se 60 sa përmban programi qeverisës i kushtohen të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve.

Në këto çështje, politikat qeveritare janë të përgjithësuara, e kryesisht zotime politike, pa saktësuar dhe konkretizuar mekanizmat, agjendën zbatuese kalendarike dhe buxhetin.

• Në pikën 2.5 “Të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore” te paragrafi “Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut” veçohet komuniteti  rom, ashkali dhe egjiptian, e nuk përmenden komunitetet e tjera minoritare.

Në të njëjtën pikë te paragrafi “Sigurimi i barazisë gjinore nëpërmjet fuqizimit të gruas” nuk saktësohet për çfarë amendamente mendohet lidhur me  “kompletimin e kornizës ligjore për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore”.

Nuk saktësohet se për cilat mekanizmat institucionale bëhet fjalë për ngritje kapacitetesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Nuk ka vlerësim të kostos ekonomike për rritjen e efikasitetit funksional të strehimoreve, për mbrojtje nga dhuna në familje, si dhe as për “buxhetimin gjinor”.

Njëlloj për “regjistrimin e pronës” (në emër të dy bashkëshortëve) ku nuk saktësohen masat afirmative dhe mbështetja financiare.

• Në pikën 2.6 “Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të komuniteteve” nuk saktësohen masat dhe mekanizmat për luftën e diskriminimit për diskriminim në punësim, arsim apo mbështetje për ndërmarrësit, për komunitetet joshumicë.

Edhe këtu veçohet komuniteti RAE dhe nuk përmenden komunitetet e tjera.

Lidhur me komunitetet në nevojë flitet vetëm kur përmendet shtimi i numrit të mësimdhënësve.

Te “Përmirësimi i politikave për komunitetet” përgjithësohen masat nëpërmjet idesë së hartimit të “Strategjisë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Anëtarëve të tyre, koncept dokumentit për personat e zhvendosur, hartimit të Ligjit për Personat e Zhvendosur, mbi parimet e të drejtave themelore dhe pa përjashtim të asnjë komuniteti”. Nuk saktësohet as agjenda kalendarike për hartimin dhe miratimin e kësaj strategjie.

Te “Përfshirja sociale dhe stabilizimi i përgjithshëm i komuniteteve në Kosovë” përmenden përgjithësisht projekte “në funksion të kthimit, riintegrimit dhe stabilizimit të komuniteteve, mbështetjes financiare të shoqërisë civile me qëllim të krijimit besimit të ndërsjellë në mes të komuniteteve” duke iu referuar Projektit “Programi i KE-së për Stabilizimin e Komuniteteve IV”. As kjo nuk detajizohet në kuptimin kalendarik dhe as në investim buxhetor vetenak të Qeverisë së Kosovës.

Te “Kthimi i personave të zhvendosur dhe zgjidhjet e qëndrueshme” nuk përmendet minoriteti serb që konsiderohet një nga  komunitetet që përballet më së shumti me problemin e kthimit.  Po ashtu nuk ka asnjë masë konkrete, asnjë agjendë kalendarike dhe asnjë të dhënë buxhetore.

Në Programin Qeverisës nuk ka asnjë politikë konkrete për integrimin e Veriut të Kosovës.

Prishtinë, 17 maj 2021



Leave a Reply