Izolimi infrastrukturor, papunësia, migrimi i të rinjve dhe mungesa e shërbimeve bazike mbeten ndër sfidat kryesore me të cilat përballen komunitetet në Dragash. Këto ishin disa nga temat kryesore të ngritura gjatë takimit të organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, me pjesëmarrës nga komuniteti shqiptar, goran dhe boshnjak, përfshirë asamblistë të kuvendit komunal, pjesëtarë të shoqërisë civile, sektorit privat, aktivistë lokalë etj.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit ndanë shqetësimet e tyre lidhur me kushtet e jetesës, zhvillimin ekonomik dhe sfidat sociale me të cilat përballet rajoni. Ndonëse marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve u vlerësuan përgjithësisht stabile dhe pa tensione të theksuara ndëretnike, u theksua se komunitetet vazhdojnë të mbeten të ndara sidomos në sistemet e arsimit dhe shëndetësisë, ndërsa barrierat gjuhësore dhe mungesa e aktiviteteve të përbashkëta kufizojnë komunikimin dhe bashkëpunimin mes të rinjve.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura ishte infrastruktura dhe mungesa e investimeve publike. Pjesëmarrësit kërkuan përmirësimin e rrugëve dhe lidhjeve me Prizrenin, si dhe investime më serioze në furnizimin me ujë, energji elektrike dhe internet, sidomos në zonat rurale. U diskutua gjithashtu për problemet me menaxhimin e mbeturinave, mungesën e investimeve në ujërat dhe praninë e deponive ilegale, të cilat ndikojnë negativisht në cilësinë e jetës dhe mjedisin.
Papunësia, sidomos te të rinjtë, u identifikua si problem qendror për të gjitha komunitetet. Pjesëmarrësit theksuan mungesën e industrisë dhe kufizimet për zhvillimin e bizneseve të vogla, ndërsa shumë të rinj, edhe pas përfundimit të studimeve, largohen nga Dragashi për shkak të mungesës së perspektivës. Migrimi u përshkrua si fenomen masiv, veçanërisht te komuniteti goran, ku një pjesë e madhe e popullsisë jeton dhe punon jashtë rajonit.
Në takim u diskutua edhe për potencialin e pashfrytëzuar të turizmit, bujqësisë dhe blegtorisë. Pjesëmarrësit vlerësuan se Dragashi ka potencial të madh për zhvillim ekonomik, por mungesa e infrastrukturës, mbështetjes institucionale dhe kufizimet ligjore që lidhen me parkun nacional vazhdojnë të pengojnë investimet private dhe zhvillimin lokal. Diaspora u përmend gjithashtu si një potencial i rëndësishëm për investime dhe zhvillim të rajonit.
Pjesëmarrësit ngritën shqetësime edhe për mungesën e shërbimeve bazike shëndetësore dhe arsimore. U theksua mungesa e specialistëve si gjinekologë dhe pediatër, si dhe nevoja për më shumë qendra për fëmijë dhe shkolla profesionale. Në diskutim u theksua gjithashtu nevoja për kurse profesionale dhe aftësim praktik për të rinjtë në fusha të ndryshme si ndërtimtaria, rrobaqepësia apo zanate të tjera praktike.
Nga institucionet lokale u kërkua më shumë angazhim konkret për zhvillim ekonomik, mbështetje për të rinjtë dhe gratë, si dhe më shumë aktivitete kulturore dhe sportive që mund të krijojnë hapësira bashkëpunimi dhe komunikimi ndërmjet komuniteteve.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).

