Takim me Federatën e Sindikatave të Pavarura Elektrokosova: organizimi sindikal dhe sfidat në përfshirjen e të rinjve

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Pavarura Elektrokosova, ku u prezantua puna, struktura organizative dhe praktikat e funksionimit të sindikatës.

Gjatë takimit u theksua se sindikata përfaqëson rreth 2100 punëtorë, prej të cilëve afërsisht 1100 janë anëtarë aktivë. Organizimi i saj përfshin shtatë shoqata dhe qendra rajonale me struktura të veçanta drejtuese.

Po ashtu gjatë këtij takimi u theksua se marrëdhëniet me menaxhmentin janë funksionale, duke reflektuar edhe një njohje të rolit të sindikatës nga ana e pronarëve. Në këtë kuadër, janë arritur përfitime konkrete për punëtorët, përfshirë pagesën e orëve shtesë, bonuse të rregullta, mbulimin e sigurimit shëndetësor, shtesa për ushqim dhe përmirësime të vazhdueshme të kushteve të punës.

Përfqaësuesit e kësaj sindikate treguan ndërjtera se sindiakata e tyre ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për anëtarët përmes këshillimit juridik, përfaqësimit në komisione disiplinore dhe përfshirjes në procese të ndryshme vendimmarrëse.

Megjithatë, u identifikuan disa sfida kryesore. Një ndër to mbetet niveli i ulët i vetëdijesimit te punëtorët që nuk janë anëtarë, të cilët shpesh nuk e kuptojnë rëndësinë e organizimit sindikal. Kjo ndikon edhe në dinamikën e brendshme, pasi përfitimet shpesh shtrihen edhe te joanëtarët.

Një tjetër sfidë lidhet me përfshirjen e të rinjve, ku u theksua nevoja për rritjen e vetëdijesimit dhe komunikimit publik mbi rolin e sindikatave. Në këtë drejtim, mungesa e aktiviteteve si punëtoritë dhe angazhimi më i kufizuar në media u identifikuan si hapësira për përmirësim.

Në anën tjetër, u vlerësua roli aktiv i grave në sindikatë, përfshirë funksionimin e Forumit të Grave me rreth 120 anëtare, si dhe përfshirja e tyre në aktivitetet organizative dhe vendimmarrëse.

Gjatë diskutimit u përmendën edhe mekanizmat e brendshëm për ruajtjen e integritetit të sindikatës, përfshirë rregullat statutare për kandidim dhe angazhim, si dhe zbatimi i një kodi etik të miratuar. Po ashtu, u theksua rëndësia e parandalimit të ndërhyrjeve të jashtme dhe garantimi i funksionimit të pavarur të sindikatës.

Takimi shërbeu për të identifikuar mundësi konkrete bashkëpunimi ndërmjet Institutit dhe sindikatës, veçanërisht në drejtim të rritjes së vetëdijesimit, fuqizimit të të rinjve dhe rritjes së prezencës publike të sindikatës.

(Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia).