Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, në bashkëpunim me Centar za Politiku Emancipacije (CPE), organizoi një seminar dy-ditor për gazetarë, i fokusuar në të drejtat e punës dhe drejtësinë ekonomike.
Seminari u mbajt online [2-4 dhjetor] dhe mblodhi gazetarë të rinj dhe profesionistë të medias nga Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria. Qëllimi ishte fuqizimi i kapaciteteve të tyre për raportim etik dhe hulumtues mbi çështjet e punës dhe ekonomisë.
Programi përfshiu tema kryesore si: konceptet dhe kornizat ligjore të decent work dhe të drejtave të punëtorëve; sfidat socio-ekonomike në vendet post-tranzicion; përdorimi i mjeteve të të dhënave të Decent Work Balkans (DWB) për gazetari hulumtuese; raportimi etik dhe teknikat narrative; legjislacionet e due diligence dhe përgjegjësia korporative.
Në sesionin e parë, “Hartëzimi i realitetit të Punës së Denjë në Ballkanin Perëndimor”, ligjërues ishin Visar Ymeri dhe Vladimir Simović. Ata ofruan një pasqyrë të sfidave socio-ekonomike që ndikojnë në të drejtat e punëtorëve, të mbështetur në dy vite të DWB fact-sheets, duke prezantuar mjete praktike për hulumtime të bazuara në prova dhe për të kuptuar më mirë dinamikat rajonale të punës së denjë.
Në pjesën e dytë të ditës së parë u mbajt sesioni mbi etikën, narrativat dhe rrëfimet e punëtorëve, nga gazetari Eraldin Fazliu nga KTV, me fokus në zhvillimin e tregimeve etike dhe të fuqishme që adresojnë padrejtësitë strukturore.
Dita e dytë nisi me sesionin “Zinxhiri Global i Furnizimit dhe Përgjegjësia Korporative”, të udhëhequr nga Bojana Tamindžija, ku u analizua gjendja e të drejtave të punëtorëve në zinxhirët globalë të furnizimit dhe ndikimi i korporatave shumëkombëshe në standardet e punës dhe drejtësinë ekonomike.
Seminari u përmbyll me ligjëratën e gazetarit hulumtues të BIRN, Saša Dragojlo, me temën “Gazetaria dhe të Drejtat e Punës: Mes Dëshmisë dhe Faktit”, i cili fokusohej në balancimin e rrëfimeve nga terreni me faktet e verifikuara, duke theksuar rolin kritik të gazetarisë në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Ky seminar shërbeu si një hap i rëndësishëm për forcimin e gazetarisë kritike në rajon dhe për rritjen e kapaciteteve profesionale në raportimin mbi çështjet e punës. Ai krijoi hapësirë për bashkëpunim ndërmjet gazetarëve nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor dhe theksoi nevojën për qasje të përbashkëta ndaj sfidave socio-ekonomike që prekin punëtorët.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Activities for Promoting and Advancing Decent Work in Western Balkans Countries”, i mbështetur nga European Fund for the Balkans (EFB), pjesë e Rrjetit të Fondacioneve Evropiane.


