Në kuadër të aktivitetit për dialog dhe përfshirje qytetare, gjatë kësaj jave është mbajtur një diskutim me të rinj nga komunitetet ashkali dhe rom të Komunës së Lipjanit dhe Fushë Kosovës.
Qëllimi i këtij takimi ishte të dëgjohen përvojat e tyre të përditshme, të identifikohen sfidat kryesore me të cilat përballen dhe të reflektohet mbi mundësitë për përfshirje dhe bashkëjetesë ndëretnike.
Disa nga çështjet kyçe të ngritura nga të rinjtë përfshijnë: Diskriminimi dhe përjashtimi social në shkolla dhe në tregun e punës; Mungesa e përfaqësimit të vërtetë politik dhe mosbesimi në institucione; Qasja e pabarabartë në shërbime publike si shëndetësia, infrastruktura dhe drejtësia; Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në ndarjen e mbështetjes institucionale; Segregimi në shkolla dhe lagje urbane, veçanërisht në qytetet e mëdha.
Ndërkohë, ata theksuan se marrëdhëniet ndërpersonale me komunitetet shqiptare dhe serbe shpesh janë pozitive, megjithatë paragjykimet vazhdojnë të jenë të pranishme. U përmend se në fshatra si Plemetina dhe në zona të Fushë Kosovës, niveli i racizmit është më i ulët krahasuar me zonat urbane.
U theksua gjithashtu se shumë fëmijë largohen nga shkolla për shkak të varfërisë dhe përfshihen në punë të hershme. Ndërsa edukimi joformal dhe pjesëmarrja në jetën publike është më e theksuar në këto komunitete, kjo ndodh kryesisht përmes mbështetjes së organizatave të ndryshme të komunitetit.
Pjesëmarrësit shprehën shpresën se në të ardhmen arsimi do të jetë çelësi për përfshirje dhe respekt të ndërsjellë. Edhe pse ekzistojnë bursa, pjesëmarrja në arsimin e lartë mbetet shumë e ulët. Të rinjtë treguan dëshirë të madhe për integrim, punësim të dinjitetshëm dhe ulje të diskriminimit.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe implementuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.



