Takim me Sindikatën e Sektorit Privat: nevoja për unifikim dhe forcim të dialogut social

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari gjatë kësaj jave zhvilloi një takim me përfaqësuesin e Sindikatës së Sektorit Privat, ku u diskutuan sfidat aktuale të organizimit sindikal dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sindikatave.

Gjatë takimit u theksua nevoja për një aktor apo strukturë që do të marrë rol udhëheqës në mbledhjen e sindikatave dhe nxitjen e diskutimeve të përbashkëta, pasi gjendja aktuale u vlerësua si e dobët. Në këtë drejtim, u konsiderua prioritet krijimi i një iniciative që do të afronte sindikatat për të bashkëpunuar dhe vepruar në mënyrë të koordinuar.

U diskutua gjithashtu për gjendjen e dialogut social dhe mekanizmave institucionalë. U theksua se kjo çështje aktualisht është e deleguar në Ministrinë e Punës, ndërsa Këshilli Ekonomiko-Social u vlerësua si jo funksional. Po ashtu, u nënvizua se sindikatat mbeten të fragmentuara, përfshirë edhe brenda strukturave më të gjera sindikale.

Një nga prioritetet kryesore të identifikuara ishte unifikimi i sindikatave, përmes hartimit të një liste të përbashkët të prioriteteve, e cila do të ndihmonte në identifikimin e fushave ku bashkëpunimi mund të jetë më i ngushtë dhe më efektiv.

Gjatë diskutimit u trajtuan edhe disa çështje të tjera të rëndësishme:

  • rreth 70% e anëtarësisë përbëhet nga gra, duke reflektuar një përfaqësim të lartë të tyre në këtë sektor
  • u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave ndërmjet sindikatave
  • megjithëse sindikata ka një numër të madh anëtarësh, buxheti i saj mbetet i kufizuar dhe i paqëndrueshëm
  • protesta e 1 Majit u përmend si një aktivitet i rëndësishëm për adresimin e kërkesave të punëtorëve
  • u vlerësua se sindikata ka një organizim të mirë dhe ofron mbështetje për punëtorët që kërkojnë përkrahje
  • u theksua mungesa e interesimit për sindikalizëm dhe niveli i ulët i vetëdijesimit për rëndësinë e tij
  • u nënvizua se asnjë protestë apo grevë nuk zhvillohet pa pëlqimin e sindikatës
  • u evidentua mungesa e informimit të punëtorëve për aspektin legjislativ dhe organizimin sindikal

Instituti do të mbështesë sindikatën në adresimin e këtyre çështjeve, duke kontribuar me ekspertizë në forcimin e bashkëpunimit ndër-sindikal, rritjen e vetëdijesimit dhe avancimin e dialogut social.

Takimi shërbeu për të identifikuar nevojën për veprime më të koordinuara dhe për forcimin e rolit të sindikatave në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.

(Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia).