Takim me Sindikata për sfidat, unifikimin dhe reformimin e dialogut social në Kosovë

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari organizoi takimin “Dialog Social Gjithëpërfshirës”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sindikatave nga sektorë të ndryshëm në Kosovë. Takimi u moderua nga Drejtori Ekzekutiv i institutit, Visar Ymeri  dhe kishte për qëllim krijimin e një kuptimi të përbashkët praktik për dialogun social, identifikimin e sfidave të përbashkëta sindikale dhe ndërtimin e hapësirave për bashkëpunim ndërsektorial.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Sindikata e Postës, Sindikata e Sektorit Privat, Sindikata e Trepçës, Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës, SBAShK, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, Sindikata e Aeroportit, si dhe Federata e Sindikatave të Pavarura  – ElektroKosova.

Diskutimi u zhvillua në tri module kryesore:

  • Dialogu social në praktikë: kuptimi, sfidat dhe realiteti sindikal;
  • Nga sfidat sektoriale te interesat e përbashkëta;
  • Mbështetja e IPS Musine Kokalari dhe cikli i ardhshëm i trajnimeve.

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit sindikal ngritën shqetësime të shumta lidhur me gjendjen aktuale të sindikalizmit në Kosovë, mungesën e funksionalitetit të dialogut social dhe dobësimin e solidaritetit ndërmjet sindikatave. Pjesëmarrësit theksuan se mungesa e një unifikimi sindikal po e zbeh fuqinë përfaqësuese të punëtorëve dhe po e vështirëson adresimin e kërkesave të tyre përballë institucioneve dhe punëdhënësve.

Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte nevoja për reformim të legjislacionit që rregullon marrëdhëniet e punës, organizimin sindikal dhe të drejtën për grevë. Përfaqësuesit vlerësuan se ligjet ekzistuese përmbajnë paqartësi të shumta dhe nuk reflektojnë realitetin aktual të punëtorëve dhe organizimit sindikal në Kosovë. Në veçanti, u ngritën shqetësime për mosfunksionalizimin e Këshillit Ekonomik-Social, mungesën e kontratave kolektive funksionale dhe moszbatimin e vendimeve gjyqësore në favor të punëtorëve.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për sfidat e organizimit të punëtorëve të rinj në sindikata, presionet ndaj aktivistëve sindikal, mungesën e mbrojtjes efektive ligjore për përfaqësuesit sindikal dhe pasojat që kanë pësuar punëtorët për shkak të pjesëmarrjes në greva apo aktivitete sindikale. Ata kërkuan më shumë bashkëpunim ndërmjet sindikatave, reagime të përbashkëta publike dhe mbështetje të ndërsjellë në raste protestash, grevash apo shkeljesh të të drejtave të punës.

Në përmbyllje, pjesëmarrësit u dakorduan që takimi i ardhshëm të mbahet me një nivel më të gjerë përfaqësimi, duke përfshirë edhe akter  të tjerë relevantë të dialogut social, me fokus në forcimin e dialogut social dhe koordinimin më të mirë sindikal në Kosovë.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia