Takim me komunitetet në Graçanicë: Rritja e Kapaciteteve për Bashkëjetesë Ndëretnike

Në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social” është zhvilluar diskutimi me temën “Dialogu Komunitar – Rritja e Kapaciteteve për Bashkëjetesë Ndëretnike” me pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe shqiptarë, në komunën e Graçanicës.

Qëllimi i këtij bashkëbisedimi ishte të kuptohet më mirë realiteti i përditshëm, sfidat dhe aspiratat e këtyre komuniteteve në komunën e Graçanicës dhe përreth, si dhe marrëdhëniet ndëretnike dhe angazhimi institucional.

Disa nga çështjet kyçe që u identifikuan përgjatë diskutimit ishin: mungesa e sigurisë pas orëve të mbrëmjes dhe papunësia e theksuar pas përfundimit të shkollimit; përjashtimi nga tregu i punës edhe përkundër kualifikimeve, për shkak të diskriminimit dhe mungesës së përfaqësimit; barrierat gjuhësore me komunitetet e tjera dhe mungesa e përfshirjes në platforma institucionale; besimi i ulët në institucionet e Kosovës dhe mungesa e qasjes së barabartë në mundësi ekonomike, si dhe mospërfshirja në konsultime publike apo procese vendimmarrëse në nivel lokal.

Pjesëmarrësit në këtë takim theksuan disa rekomandime, si: zbatimi real i ligjeve ekzistuese për të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe punësim; fuqizimi i të rinjve përmes aktiviteteve ndërkulturore dhe mundësive arsimore; trajnime për mësimin e gjuhës shqipe dhe përfshirje më të madhe në projekte ndërkomunitare; mbështetje konkrete për krijimin e vendeve të punës dhe ndihmë në formalizimin e iniciativave ekonomike.

Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe implementuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.