Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, në kuadër të projektit MARCHES, më 30 prill organizoi një takim konsultativ në Prishtinë me përfaqësues institucionalë, ekspertë të energjisë, mjedisit, shëndetësisë, si dhe akterë të shoqërisë civile, për të diskutuar alternativat e qëndrueshme të ngrohjes urbane dhe ndotjen e ajrit në Kosovë.
Gjatë takimit, partnerët e projektit prezantuan gjetjet e hulumtimit mbi alternativat për zëvendësimin e sobave tradicionale me dru dhe qymyr me sisteme më efikase të ngrohjes në familjet urbane, si dhe ndikimin e mundshëm të këtyre ndryshimeve në kërkesën për energji elektrike dhe në sistemin energjetik të Kosovës.
Mikael Skou Andersen, profesor në Universitetin Aarhus në Danimarkë, prezantoi hulumtimin “Kostot e dëmit për njësi të ndotësve të ajrit nga Kosova”.
Ndërkaq, Steven Nordin, profesor në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin Umeå, prezantoi gjetjet mbi shqetësimet e qytetarëve lidhur me ndotjen e ajrit në Kosovë.
Julian Massenberg, asistent profesor i Ekonomisë Mjedisore në Departamentin e Shkencave Sociale Mjedisore dhe Gjeografisë në Universitetin Aarhus në Danimarkë, prezantoi hulumtimin “Kostot dhe përfitimet e ndërmarrjes së veprimeve për të zvogëluar ndotjen e ajrit dhe për të përmirësuar shëndetin”.
Ståle Navrud, profesor në Universitetin Norvegjez të Shkencave të Jetës, prezantoi hulumtimin “Vlerësimi ekonomik i ndikimeve shëndetësore të lidhura me ndotjen, sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë”, ku pjesë e studimit ishte edhe Kosova.
Diskutimi u fokusua në skenarë të ndryshëm të ngrohjes dhe prodhimit të energjisë elektrike, duke trajtuar njëkohësisht aspektet mjedisore, ekonomike dhe shëndetësore të tranzicionit energjetik.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Komuna e Fushë Kosovës dhe Komuna e Obiliqit, përfaqësues nga Ministria, KEK, ZRrE, organizata të shoqërisë civile dhe akterë të tjerë relevantë.
Projekti MARCHES është një projekt shkencor 4-vjeçar i financuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit Horizon, i cili bashkon një konsorcium prej 11 partnerësh nga e gjithë Evropa dhe drejtohet nga Universiteti Aarhus.
MARCHES synon të përmirësojë metodologjitë për të vlerësuar kostot shëndetësore të faktorëve të stresit mjedisor, duke u përqendruar në ndotjen e ajrit dhe ujit. MARCHES është një shkurtim i “Metodologies for Assessing the Real Costs to Health of Environmental Stressors”.




