Sindikatat në Kosovë: Forcimi i komunikimit strategjik dhe negocimit kolektiv

Forcimi i kapaciteteve sindikale për përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve, përmirësimi i komunikimit me institucionet dhe publikun, si dhe sfidat e negocimit dhe zbatimit të kontratave kolektive ishin në qendër të diskutimeve që mblodhën përfaqësues të mbi 15 sindikatave nga sektorë të ndryshëm në Kosovë. Këto çështje u trajtuan gjatë punëtorisë “Komunikimi strategjik sindikal dhe negocimi kolektiv”, të organizuar në Prishtinë nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.

Punëtoria u zhvillua në dy sesione, kushtuar komunikimit strategjik sindikal dhe negocimit kolektiv. Përmbajtja e tyre u përcaktua në bazë të nevojave dhe prioriteteve të identifikuara nga vetë përfaqësuesit sindikalë gjatë takimit të parë, me synimin që trajtimi teorik dhe puna praktike të përqendroheshin në sfidat konkrete të veprimtarisë sindikale.

Në sesionin e parë, Naile Dema trajtoi rëndësinë e komunikimit të brendshëm në sindikata, si dhe marrëdhëniet me mediat, institucionet dhe publikun, duke theksuar nevojën për një komunikim të qartë, të strukturuar dhe të orientuar drejt përfaqësimit sa më efektiv të kërkesave të punëmarrësve. Në vijim, Iliri Pireva udhëhoqi ushtrime praktike dhe punë në grupe, gjatë të cilave pjesëmarrësit analizuan situata konkrete dhe shqyrtuan mënyra për përmirësimin e komunikimit sindikal.

Sesioni i dytë, i udhëhequr nga Edison Hoxha, u përqendrua në procesin e negocimit kolektiv, funksionimin dhe zbatimin e kontratave kolektive, përdorimin e të dhënave ekonomike si argument në negociata, si dhe çështjet që lidhen me sigurinë në punë. Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së negocimit kolektiv si instrument për mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve dhe përmirësimin e kushteve të tyre të punës.

Përtej trajtimit të këtyre temave, punëtoria krijoi hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e vështirësive me të cilat përballen sindikatat në veprimtarinë e tyre të përditshme. Përfaqësuesit sindikalë shqyrtuan sfidat e komunikimit me anëtarësinë, artikulimit të kërkesave të punëmarrësve dhe negocimit me punëdhënësit, duke diskutuar njëkohësisht mundësitë për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet sindikatave. Diskutimet nxorën në pah rëndësinë e forcimit të kapaciteteve organizative dhe negociuese, si dhe nevojën për qasje më të koordinuara dhe më efektive në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëmarrësve.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.