1 Maji nuk është festë kur punëtorët vazhdojnë të humbin jetën në vendin e punës!
Këtë vit, kjo ditë na gjen përballë një realiteti të rëndë dhe të papranueshëm në Kosovë: humbja e jetëve të punëtorëve si pasojë e mungesës së sigurisë në punë. Vetëm gjatë këtij viti (2026), numri i vdekjeve në vendin e punës në Kosovë ka arritur në dhjetë. Kryesisht, raste të tilla kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë dhe si pasojë e kushteve të pasigurta të punës. Këto nuk janë raste të izoluara. Janë alarm dhe simptomë e një sistemi që dështon të mbrojë jetën e punëtorëve.
Ndër të tjera, mbetet shumë shqetësuese që institucionet shtetërore nuk kanë vepruar në mënyrë të mjaftueshme për të adresuar këtë situatë, ndonëse vetë kauza që përfaqësojnë dhe orientimi ideologjik i partisë në pushtet është ndërtuar mbi parime socialdemokrate, të cilat në thelb vendosin mbrojtjen e punëtorëve dhe dinjitetin në punë si prioritet.
Ky hendek mes deklarimeve dhe realitetit në terren nuk është i pranueshëm. Mosveprimi në këtë rast nuk është thjesht dështim politik; është dështim për të mbrojtur jetën.
Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” shpreh shqetësim të thellë për këtë situatë dhe thekson se:
- Siguria në punë në Kosovë vazhdon të trajtohet si çështje sekondare, ndërkohë që duhet të jetë prioritet absolut.
- Inspektimet janë të pamjaftueshme dhe shpesh joefektive.
- Punëtorët, sidomos në sektorin privat, vazhdojnë të punojnë pa mbrojtje adekuate dhe pa kontrata të sigurta.
- Mungon përgjegjësia institucionale dhe ndëshkimi real për shkelësit e ligjit.
Siguria në punë nuk është luks. Është e drejtë themelore.
Kërkojmë urgjentisht:
- Më shumë inspektime nga Inspektorati i Punës
- Ndëshkime reale për shkelësit
- Transparencë për çdo rast fatal
- Mbrojtje për punëtorët që raportojnë shkelje
- Përfshirje më të madhe të sindikatave
Nuk mund të ketë dinjitet në punë kur rreziku për jetë është pjesë e përditshmërisë. Dinjiteti në punë nuk është luks. Është e drejtë bazike.
1 Maji duhet të jetë ditë reflektimi dhe presioni publik, sepse çdo jetë e humbur në vendin e punës është dështim kolektiv.
Në këtë 1 Maj, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari kërkon veprim, jo vetëm deklarata. Gjithashtu, do të vazhdojmë të kërkojmë llogaridhënie dhe politika që vendosin jetën dhe mirëqenien e punëtorëve në qendër.
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari