QEVERIA TË HARTOJË DHE TË ZBATOJË NJË PLAN KONKRET KUNDËR LGBTQIFOBISË

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” fton institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të hartojnë dhe të zbatojnë një plan konkret kundër diskriminimit ndaj komunitetit LGBTQI.

Ky komunitet vazhdon të përballet me gjuhë të urrejtjes, dhunë fizike, dhunë morale, diskriminohet nga mospranimi social, nga mostoleranca në hapësirë publike, nga e drejta për punësim dhe në punë, si dhe nga (vetë) censura e institucioneve shtetërore dhe të akterëve shoqëror, për shkak të orientimit seksual apo të identitetit gjinor. 

Pozita dhe gjendja shoqërore e komunitetit LGBTQI në Kosovë dëshmon më së miri se kuadri ligjor dhe deklarimi politik për barazinë e të gjithëve nuk mjafton për të jetuar pa paragjykime, pa stigmatizime, pa presion, pa frikë, pa dhunë dhe pa diskriminim. 

Shteti duhet të kujdeset për këtë komunitet duke e përkrahur në mënyrë eksplicite dhe duke ndërtuar politika për ta luftuar diskriminimin kundër komunitetit LGBTQI.
Dita ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë, bifobisë dhe interseksfobisë nuk duhet të shërbejë vetëm si shënim i një kremtimi për imazh të jashtëm, në funksion të plotësimit të standardeve dhe të normave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por para së gjithash si një vetëdijësim dhe emancipim shoqëror drejt zhvillimit të mëtejmë të diversitetit të pasur shoqëror të Republikës së Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor.



Leave a Reply