- November 1, 2023
- Posted by: marigone
- Category: Balline
Organizatat e poshtëshënuara shprehin indinjatën e thellë me qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj minatorëve të ndërmarrjes “Trepça”, të cilët sot kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës.
Rreth 30 minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore vetëm në 24 orët e fundit. Ndërkohë që gjendja shëndetësore e tyre po përkeqësohet për shkak të grevës së urisë, Qeveria e Kosovës vazhdon të ketë qasje indiferente ndaj një problemi të madh me të cilin po përballen punëtorët në atë ndërmarrje, ndërmarrje e cila vazhdimisht konsiderohet me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Minatorët janë duke bërë grevë për kërkesa të thjeshta – marrja e pagës me kohë, kushte më të mira pune dhe llogaridhënie nga menaxhmenti i ndërmarrjes. Këto kërkesa janë elementare në procesin e punës së punëtorëve dhe të ndërmarrjes dhe ato do të duhej të plotësoheshin pa pasur nevojë për grevë. Jo vetëm që kjo nuk ka ndodhur, por menaxhmenti ka vendosur të sulmojë grevistët duke suspenduar nga puna pesë minatorë që janë në grevë.
Është gjithashtu e papranueshme sjellja e menaxhmentit ndaj punëtorëve të minierës me publikimin e fotografive me qëllim të akuzimit të punëtorëve për shkelje të grevës, të cilat në thelb denigrojnë punëtorët në nivel njerëzor. Menaxhmenti duhet të merret me jetësimin me mundësitë për jetësim të kërkesave të tyre. Grevën e urisë nuk e bën askush pa arsye.
Mediat kanë raportuar që ministrja e Zhvillimit Ekonomik, znj. Artane Rizvanolli, nuk është paraqitur për raportim në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në Kuvendin e Kosovës. Qeveria do të duhej të dilte hapur në mbështetje të kërkesave të punëtorëve dhe të kritikonte menaxhmentin.
Në përgjithësi, sjellja e kësaj qeverie ndaj punëtorëve sindikalistë ka qenë brutale dhe e papranueshme, duke filluar me qasjen ndaj grevës së sindikatës së punëtorëve të arsimit më herët, dhe duke vazhduar me mungesën e dialogut me minatorët e Trepçës tash. Kjo qasje dëmton rëndë përpjekjet e punëtorëve për të marrë atë që ju takon dhe dëmton sindikalizmin në mënyrë afatgjate.
Organizatat e poshtëshënuara i bën thirrje menaxhmentit të ndërmarrjes dhe Qeverisë që të hapin urgjentisht dialogun me grevistët dhe të shohin sa më parë mundësitë që të bëhet kompromis në drejtim të zgjidhes së problemeve dhe kërkesave të punëtorëve.
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari
Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA
Instituti Cilësor për Hulumtime Analiza dhe Trajnime – iCHAT
OJQ Gruaja Hyjnore
Instituti për Aksion Afirmativ
1 nëntor 2023