Në kuadër të aktivitetit “Sesione të Avokimit me Asambleistë dhe Parti Politike”, më 7 tetor 2025, në Mitrovicë, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari organizoi punëtorinë me temën “Avokim dhe Angazhim Politik”.
Në këtë punëtori morën pjesë kandidatët për asamble dhe asambleistë nga partitë politike kosovare, si dhe përfaqësues nga komunitetet serb dhe boshnjak të komunave të Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës Veriore.
Ligjërues në këtë aktivitet ishin Fisnik Rexhepi, i cili prezantoi mbi kornizën ligjore dhe kompetencat e asambleistëve, dhe Senad Sabovic, i cili trajtoi rëndësinë e komunikimit me qytetarët dhe përdorimin e rrjeteve sociale gjatë dhe pas fushatës zgjedhore për qëllime të angazhimit publik.
Përveç sesioneve ligjëruese, pjesëmarrësit morën pjesë në ushtrime praktike dhe diskutime në grupe, ku shkëmbyen përvoja, analizuan sfidat konkrete të përfaqësimit dhe komunikimit, dhe propozuan mënyra më efektive të angazhimit me qytetarët. Aktivitetet u fokusuan në zhvillimin e aftësive për komunikim publik, si dhe në përdorimin e kanaleve digjitale për të rritur transparencën dhe besimin e publikut.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte fuqizimi i aftësive të komunikimit, empatisë dhe planifikimit bashkëpunues tek asambleistët dhe përfaqësuesit e grupeve të ndryshme etnike.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, të mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe të implementuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.










