Punëtori me kandidatët e komuniteteve për asamblenë komunale në Prizren

Në kuadër të aktivitetit Sesione të Avokimit me Asambleistë dhe Parti Politike, më 29 shtator 2025, në Komunën e Prizrenit, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari organizoi trajnimin “Avokim dhe Angazhim Politik”.

Në këtë trajnim morën pjesë kandidatët për asamble dhe asambleistë nga komunitetet turke, boshnjake dhe shqiptare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Ligjërues ishin Fisnik Rexhepi, i cili prezantoi mbi kornizën ligjore dhe kompetencat e asambleistëve, si dhe Senad Sabovic, i cili foli për rëndësinë e komunikimit me qytetarët dhe përdorimin e rrjeteve sociale për fushatë dhe angazhim publik.

Përveç sesioneve ligjëruese, pjesëmarrësit zhvilluan edhe ushtrime praktike dhe diskutime në grupe, ku shkëmbyen përvoja, analizuan sfidat konkrete të përfaqësimit dhe komunikimit, si dhe propozuan mënyra më efektive të angazhimit me qytetarët. Ushtrimet u fokusuan në forcimin e aftësive për komunikim publik dhe përdorimin e kanaleve digjitale për të rritur transparencën dhe besimin e publikut.

Qëllimi i organizimit të kësaj punëtore ishte zhvillimi i aftësive të komunikimit, empatisë dhe planifikimit bashkëpunues tek asambleistët dhe grupeve të ndryshme etnike.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe i implementuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.