Punëtori me kandidatët egjiptas për asambletë komunale në Komunën e Pejës dhe Istogut

Në kuadër të aktivitetit “Sesione të Avokimit me Asambleistë dhe Parti Politike”, më 8 tetor 2025, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari organizoi në Komunën e Pejës punëtorinë me temën “Avokim dhe Angazhim Politik”.

Në këtë punëtori morën pjesë kandidatë për asamble dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga komuniteti egjiptas i komunave të Pejës dhe Istogut.

Ligjërues në aktivitet ishin Fisnik Rexhepi, i cili prezantoi kornizën ligjore dhe kompetencat e asambleistëve, dhe Senad Sabovic, i cili trajtoi rëndësinë e komunikimit me qytetarët dhe përdorimin e rrjeteve sociale gjatë dhe pas fushatës zgjedhore për qëllime të angazhimit publik.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit theksuan disa nga sfidat me të cilat përballen në kuvendet komunale, si mungesa e përfaqësimit adekuat të komuniteteve në asamble dhe roli i kufizuar i Komitetit për Komunitete.

Përveç sesioneve ligjëruese, pjesëmarrësit morën pjesë në ushtrime praktike dhe diskutime në grupe, ku ndanë përvoja, analizuan sfidat konkrete të përfaqësimit dhe komunikimit, dhe propozuan mënyra më efektive të angazhimit me qytetarët. Aktivitetet u fokusuan në zhvillimin e aftësive të komunikimit publik dhe përdorimin e kanaleve digjitale për rritjen e transparencës dhe besimit të qytetarëve.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte fuqizimi i aftësive të komunikimit, empatisë dhe planifikimit bashkëpunues tek asambleistët dhe përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme etnike.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, të mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe të implementuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari.