Publikohet raporti “A është thëngjilli zgjidhja më e lirë?”

Duke e mbajtur artificialisht të ulët çmimin e rrymës dhe duke mos e kalkuluar koston eksternale në çmimin e prodhimit, po mirëmbahet miti që qymyri është zgjidhja më e lirë për gjenerim të energjisë. Rrjedhimisht, kjo po i përjashton burimet alternative të energjisë si të papërballueshme. Është koha e fundit që të fillojmë ta analizojmë dhe kalkulojmë koston si të tërë, si dhe t’i bazojmë planet në këto të dhëna.

Ky është konstatimi dhe rekomandimi qenësor i hulumtimit të kryer nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari: “Is Coal The Cheapest Solution?” (“A është thëngjilli zgjidhja më e lirë?”).

Në tryezën e organizuar të hënën në Prishtinë, ma rastin e publikimit të raportit, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale Musine Kokalari, Visar Ymeri pohoi se ky hulumtim, pos tjerash, shenjëzon problemin  e mostrajtimit aktual nga ana e institucioneve se a mund të prodhojmë rrymë pa thëngjill ?

“Të gjeturat e raportit shpërfaqin edhe nevojën për studime të mëtutjeshme, më gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të përllogaritet kostoja reale e energjisë me bazë në qymyr. Kostoja eksternale duhet të përfshihet në çdo plan dhe strategji energjetike, dhe rrjedhimisht të ketë më shumë informata, si dhe të ndërtohet një qasje me holistike për vendimet mbi politikat e sistemit energjetik në Kosovë. Profesionistët dhe institucionet shëndetësore duhe të përfshihen në procesin e përpilimit të Strategjisë Kombëtare për Energji 2022-2031”, thotë hulumtimi i cili synon kalkulimin e kostos shëndetësore eksternale si pasojë e prodhimit të energjisë elektrike me qymyr në Kosovë në vitet e fundit.

“Ky publikim ofron një studim të këtyre eksternaliteteve në Kosovë për vitin 2019. Mirëpo fatkeqësisht nuk ka statistika të mjaftueshme dhe të besueshme për vdekshmërinë, sikurse që mungojnë matjet për emetimin”, bëri të ditur Marigonë Drevinja, Drejtore e Programit në Institutin për Politika Sociale Musine Kokalari.  Ajo shtoi se ky problem duhet të trajtohet në dimensionin rajonal, duke qenë se ndotja është tejkufitare.

Ndërsa Mikael Skou Andersen nga Departamenti për Shkenca Mjedisore të Universitetit Aarhus në Danimarkë paraqiti të dhëna statistikore për ndotjen e ajrit në Kosovë sipas metodologjisë së impact-pathway approach, në bazë të parimeve të modelit të vlerësimit të integruar EVA (Vlerësimi Ekonomik i Ndotjes së Ajrit). “Impiantet me thëngjill kontribuojnë në ndotjen e ajrit, përkatësisht në vdekshlmërinë dhe sëmundshmërinë e njerëzve, siç dëshmohet në Obiliq dhe Prishtinë”, tha ai.

Për Luan Shllakun, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) për Kosovën, argumentet në favor të përdorimit të thëngjillit shmangin çështjen e dendësisë së banorëve të prekur nga ndotjet dhe thatësinë e ujërave. “Përderisa Europe Green Deal parasheh që deri më 2030 të ulet shfrytëzimi i thëngjilit për 55% dhe të ndalet krejtësisht deri më 2050, strategjia shtetërore e Republikës së Kosovës pretendon ndryshe”, theksoi Shllaku.  

Shkarko publikimin këtu:



Leave a Reply