- April 12, 2024
- Posted by: marigone
- Category: Balline
Mundësimi i tregtisë së lirë, rivendosja e qarkullimit të parasë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përcaktimi i kornizës rajonale për zbatimin e Nenit 6 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, mundësimi i vendimeve të CEFTA dhe shfuqizimi i taksimit të dyfishtë dhe qasja e barabartë në tregun e punës; eksplorimi i bashkëpunimit tw mundshëm në sektorin e energjisë, përshpejtimi i zbatimit të projekteve të transportit, janë disa nga rekomandimet e hulumtimit “Përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi” të përgatitur nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari nga Prishtina në bashkëpunim me Institutin për Filozofi dhe Teori Shoqërore nga Beogradi.
Ky raport është përpiluar si rrjedhojë e Nenit 6 të marrëveshjes së fundit të vitit 2023 (Marrëveshja e Ohrit) midis Prishtinës dhe Beogradit i cili specifikon se “Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë…”, por nuk shpjegon se çfarë do të thotë, apo nënkupton saktësisht “thellimi i bashkëpunimit”. Raporti identifikon fushat që duhet dhe mund të përmirësohen, dhe propozon ide dhe masa që duhen marrë në këtë drejtim.
Duke konstatuar se bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe Serbisë është në interes të paqes dhe zhvillimit rajonal, ky dokument propozimesh është i bazuar në gjendjen aktuale të marrëveshjeve rajonale për tregti e bashkëpunim, si dhe në linjë me parimet bazë të Marrëveshjes së Brukselit për marrëdhënien ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, si një nga shtyllat e rëndësishme drejt marrëveshjes përfundimtare.
Pengesat dhe masat kryesore që kërkohen për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike të theksuara nga ekspertët e të dyja palëve janë: tregtia e lirë, heqja e barrierave doganore, bashkëpunimi ndërmjet dy bankave qendrore për ta mundësuar qarkullimin e parave në RSD dhe EURO ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, njohja reciproke e dokumentacionit (mundësimi i transfereve bankare), zbatimi i asaj ekzistuese dhe jodomosdoshmërisht marrëveshjet e reja ekonomike, ofrojnë prodhim të përbashkët të të mirave, nxisin bashkëpunimin dhe jo konkurrencën aty ku është e mundur (energji dhe ekologji), shfrytëzojnë plotësisht mundësitë e CEFTA-s dhe Tregut të Përbashkët Rajonal dhe parandalojnë shkeljet e saj.
Përshpejtimi i zbatimit të projekteve të transportit, si përshpejtimi i punës drejt lidhjes hekurudhore dhe vendosjen e një fluturimi direkt ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. si dhe fillimi i një diskutimi strategjik për komplementaritetin e ekonomive janë disa nga rekomandimet.
Raportin e plotë në gjuhën shqipe mund ta lexoni në vegëzën:
Ky raport është zhvilluar në kuadër të projektit “Zbatimi i Nenit VI të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” ndërmjet IPS Musine Kokalari dhe Peaceful Change Initaitive – PCI, të mbështetur nga UK Aid si pjesë e projektit “Amplifying Local Voices for Equitable Development”.
12 prill 2024