Propozim reforme: Sistemi i mbrojtjes sociale të Kosovës

Lansimi i të ardhurave universale bazë (Universal Basic Income) të rregullta dhe pa kushte, krjimi i Sigurimit Shoqëror të Kosovës, riorganizimi dhe zgjerimi i shërbimeve universale publike, si dhe rritja e progresivitetit të taksave në të ardhura personale janë disa nga veprimet konkrete që ka propozuar dje në Prishtinë Dr. Artan Mustafa gjatë tryezës së organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, përgjatë prezentimit të punimit të tij me titull: “Sistemi i mbrojtjes sociale të Kosovës: Propozim reforme drejt një nënshtetësie më të barabartë, inkluzive dhe të qëndrueshme”

Në këtë dokument që shërben si propozim politikash, Dr. Mustafa ka argumentuar që Kosova ka mbetur brenda trajektores së një gjendjeje të pabarazisë së thellë shoqërore, me emigracionin masiv që shfaqet si manifestimi më i dukshëm i kësaj krize.

Lexo dokumentin e plotë këtu: 

Në librin monumental ‘Kontrata Sociale’, Rousseau thotë se qeveria më e keqe është ajo “nën të cilën një popull pakësohet dhe tkurret”. Kosova ka nevojë urgjente për renovim të marrëveshjes për obligimet ndaj dhe përfitimet e përbashkëta prej nënshtetësisë, pra për një kontratë më të qëndrueshme sociale, përballë kërcënimit që po ia bën kjo krizë sociale shtetësisë, shkruan Mustafa.

Duke e konsideruar propozimin e autorit si të dobishëm, si pjesë e panelit, ekonomisti i njohur z. Edison Jakurti ka ngritur diskutimin mbi rëndësinë e shqyrtimit të ndikimit të Universal Basic Income te paga rezervë dhe të masave të propozuara kundrejt remitencave.

Të pranishëm, pjesëtarë të ndryshëm të sindikatave, organizatave joqeveritare, qendrave për punë sociale, deputetë të parlamentit të Kosovës e shumë të tjerë, kanë bashkëbiseduar mbi propozimet e paraqitura dhe mbi mundësitë e transformimit të politikave sociale në Kosovë.

Projekti që mundësoi këtë publikim mbështetet nga Ambasada Suedeze në Kosovë dhe Fondi për Zhvillimin e Komunitetit përmes kornizës Humanrightivism.

22 shkurt 2024



Leave a Reply