Papunësia, mungesa e perspektivës dhe migrimi dominojnë shqetësimet e të rinjve serbë në Gorazhdec

Papunësia, mungesa e perspektivës dhe migrimi i të rinjve përbëjnë disa nga sfidat më të rëndësishme me të cilat përballen të rinjtë serbë në Gorazhdec. Ky ishte një nga përfundimet kryesore të punëtorisë “Të Rinjtë dhe Ndërtimi i Besimit Ndërkomunitar”, të organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari me pjesëmarrjen e të rinjve dhe përfaqësuesve të komunitetit serb në Gorazhdec. Punëtoria u organizua dhe u moderua nga Senad Šabović dhe Fisnik Rexhepi.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit diskutuan për marrëdhëniet ndërkomunitare, sfidat me të cilat përballen të rinjtë dhe mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve. Përmes diskutimeve interaktive, ata reflektuan mbi identitetet personale dhe të përbashkëta, duke theksuar se përkatësia etnike nuk është i vetmi element që përcakton jetën, interesat dhe aspiratat e tyre.

Vëmendje e veçantë iu kushtua stereotipeve dhe paragjykimeve që vazhdojnë të jenë të pranishme ndërmjet komuniteteve. Pjesëmarrësit vlerësuan se narrativat politike, mediat dhe rrjetet sociale, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, shpesh kontribuojnë në forcimin e mosbesimit dhe perceptimeve negative. Në të njëjtën kohë, u theksua se kontaktet e drejtpërdrejta, aktivitetet e përbashkëta dhe bashkëpunimi praktik mbeten mënyrat më efektive për tejkalimin e paragjykimeve dhe ndërtimin e besimit.

Një nga temat qendrore të punëtorisë ishte largimi i të rinjve. Pjesëmarrësit theksuan se migrimi prek si komunitetin serb ashtu edhe atë shqiptar dhe se gjithnjë e më shumë të rinj po largohen për shkak të mungesës së mundësive ekonomike dhe perspektivës për të ardhmen. Si probleme të përbashkëta u identifikuan papunësia, mundësitë e kufizuara për zhvillim profesional, sfidat në sektorin e bujqësisë, problemet mjedisore, menaxhimi i ujit, deponitë ilegale dhe mungesa e hapësirave për aktivitete rinore.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën për më shumë investime në programe rinore, sportive, kulturore dhe sociale, të cilat do të mundësonin më shumë ndërveprim ndërmjet të rinjve të komuniteteve të ndryshme. Gjithashtu u ngrit shqetësimi për mungesën e hapësirave adekuate ku të rinjtë mund të organizojnë aktivitete të përbashkëta, të zhvillojnë ide dhe të ndërtojnë marrëdhënie bashkëpunimi.

Në kuadër të ushtrimit “Kosova që Duam”, pjesëmarrësit identifikuan si prioritete kryesore krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë, zhvillimin ekonomik lokal, mbrojtjen e mjedisit, komunikim më të madh ndërmjet komuniteteve, si dhe siguri e stabilitet. Ndërsa në kuadër të “Laboratorit të Bashkëpunimit”, u propozuan iniciativa konkrete që përfshijnë aktivitete sportive, ngjarje kulturore, klube rinore, projekte mjedisore dhe hapësira të reja për dialog e bashkëpunim.

Pjesëmarrësit u pajtuan se shumë nga sfidat me të cilat përballen të rinjtë janë të përbashkëta pavarësisht përkatësisë etnike. U theksua se ndërtimi i besimit kërkon komunikim të vazhdueshëm, sinqeritet, respekt të ndërsjellë dhe më shumë mundësi për bashkëpunim konkret në nivel lokal.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).