Nga mjedra te shtigjet turistike: shembulli i Shtërpcës

Shkruan: Jelena Durleviq*

Çka është më e fortë – ajo që na ndan apo ajo me çka jetojmë?

Në shoqëritë e ndara si Kosova, e cila prej kohësh ka qenë e ngarkuar me ndarje etnike, përgjigjja shpesh vjen nga jeta e përditshme. Kur bujqit shesin produkte së bashku, kur tregtarët bashkëpunojnë përtej kufijve etnikë dhe kur komunitetet lokale punojnë drejt interesave të përbashkëta, besimi mes njerëzve të etnive të ndryshme ndërtohet me një ritëm të pashembullt sesa përmes marrëveshjeve politike.

Komuna e Shtërpcës është shembull i mirë i kësaj teme sepse përfaqëson një mjedis në të cilin jetojnë njerëz të kombësive, kulturave dhe traditave të ndryshme. Përgjatë viteve, rrethana të ndryshme historike kanë çuar në krijimin e ndarjeve të caktuara etnike dhe mosbesimit të ndërsjellë mes komuniteteve.

Megjithatë, jeta e përditshme tregon se ka fusha ku bashkëpunimi mund të jetë më i fortë sesa dallimet. Një nga fushat e tilla më të rëndësishme është ekonomia. Kur njerëzit punojnë së bashku, krijojnë të ardhura, zhvillojnë bizneset e tyre dhe përmirësojnë cilësinë e jetës, dallimet etnike shpesh bëhen më pak të rëndësishme sesa interesi i përbashkët.

Prandaj mund të thuhet se bashkëpunimi ekonomik ka potencial për të kapërcyer ndarjet etnike në komunën e Shtërpcës. Qendra e famshme e skijimit në Brezovicë tërheq vizitorë nga pjesë të ndryshme të rajonit, ndërsa turizmi është një nga industritë më të rëndësishme që mund të lidhë njerëzit pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Pronarët e hoteleve, restoranteve, dyqaneve, akomodimit privat dhe aktiviteteve të tjera shërbyese kanë një qëllim të përbashkët – të ofrojnë shërbimin më të mirë të mundshëm, të tërheqin sa më shumë turistë dhe të fitojnë të ardhura më të mëdha.

Në këtë proces, përveç institucioneve hoteliere që bashkëpunojnë me furnizues dhe partnerë të ndryshëm, ata gjithashtu punësojnë punëtorë, me ekspertizë dhe cilësi të punës shumë më të rëndësishme sesa përkatësia e tyre etnike. Një shembull i një biznesi të tillë është hoteli “Brezovica”, ku punëtorë nga komuniteti serb dhe ai shqiptar punojnë së bashku. Në vendin e tyre të punës, njerëzit bashkëpunojnë çdo ditë, zgjidhin problemet dhe arrijnë qëllime të përbashkëta, dhe një bashkëpunim i tillë kontribon në njohjen reciproke dhe zbutjen e stereotipeve. Kur dikush punon me kolegë të një përkatësie tjetër etnike çdo ditë, është më e lehtë të shihet se ka shumë më tepër ngjashmëri mes tyre sesa dallime.

Përveç turizmit, bujqësia dhe blegtoria luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të komunës së Shtërpcës. Shumë banorë të Shtërpcës janë të përfshirë në kultivimin e mjedrave dhe frutave dhe perimeve të tjera, por edhe në prodhimin e qumështit, djathit të famshëm të sharrit, mjaltit dhe produkteve të tjera.

Prodhuesit bujqësorë shpesh përballen me probleme të ngjashme, pavarësisht dallimeve etnike dhe të tjera, siç janë kostot e larta të prodhimit, nevoja për një treg më të mirë, mundësi të pamjaftueshme për plasimin e produkteve dhe mungesa e pajisjeve moderne. Për të kapërcyer këto sfida, ekziston një nivel i caktuar i bashkëpunimit ekonomik ndëretnik në Shtërpcë. Një nga shembujt më konkretë është partneriteti mes një serbi dhe një shqiptari në tregun e Shtërpcës. Novica Marinkoviq dhe Bekim Maliqi drejtonin një biznes dhe një pikë shitjeje së bashku çdo të enjte për vite me radhë, dhe ata vetë theksuan se etnia e tyre nuk ishte pengesë për bashkëpunim.

Kjo tregon se kur njerëzit nga komunitete të ndryshme bashkohen për të tregtuar, për të ndarë përvojat dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin, ata rrisin shanset e tyre për sukses, ndërsa interesi ekonomik bëhet më i rëndësishëm se paragjykimi dhe ndarja. Një shembull tjetër që mbështet këtë pretendim është bashkëpunimi për blerjen e mjedrave në Shtërpcë. Konkretisht, kultivuesit e mjedrës nga komuniteti serb ua shesin produktet e tyre pronarëve të frigoriferëve nga komuniteti shqiptar dhe anasjelltas.

Në të njëjtën kohë, shumë të rinj nga komunitete të ndryshme në territorin e komunës së Shtërpcës përballen me të njëjtat sfida: papunësia, mungesa e mundësive për zhvillim profesional dhe dëshira për një të ardhme më të mirë. Përmes projekteve bashkëpunuese, trajnimeve dhe iniciativave sipërmarrëse, ata mund të zhvillojnë ide biznesi nga të cilat përfiton i gjithë komuniteti. Kur të rinjtë bashkëpunojnë për të arritur qëllimet ekonomike, ata krijojnë miqësi të reja dhe ndërtojnë marrëdhënie të bazuara në respektin e ndërsjellë. Në këtë mënyrë, ato bëhen shembull se bashkëpunimi mund të jetë më i suksesshëm se ndarja.

Kur njerëzit varen nga njëri-tjetri përmes aktiviteteve biznesore, gatishmëria e tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore rritet. Nga suksesi i një kompanie shpesh përfitojnë subjektet e tjera të biznesit, gjë që nxit interes të përbashkët në ruajtjen e marrëdhënieve të mira ndërpersonale. Në një mjedis të tillë, zvogëlohet hapësira për konflikte dhe rritet mundësia për zhvillim të përbashkët.

Nëse shkojmë përtej komunës së Shtërpcës, një nga shembujt më të spikatur të bashkëpunimit ekonomik ndëretnik është fabrika “Vipa” nga Vushtrria, gjegjësisht bashkëpunimi i bujqve serbë dhe pronarëve shqiprarë. Sigurisht, vetëm bashkëpunimi ekonomik nuk mund të eliminojë plotësisht të gjitha ndarjet etnike. Kjo kërkon kohë, edukim, respekt të ndërsjellë dhe mbështetje të institucioneve. Megjithatë, mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të besimit mes njerëzve.

Kur banorët lokalë shohin përfitime konkrete nga bashkëpunimi, ata e kanë më të lehtë të përqafojnë idenë e të punuarit së bashku dhe puna së bashku jep rezultate më të mira sesa izolimi dhe ndarja. Institucionet, shkollat, OJQ-të dhe vetëqeverisja lokale mund të kontribojnë në këtë proces duke mbështetur projekte të përbashkëta ekonomike.

Zhvillimi ekonomik është një nga faktorët më të rëndësishëm për ndërtimin e marrëdhënieve më të mira mes njerëzve, dhe shembulli i Shtërpcës tregon se bashkëpunimi ekonomik mund të jetë urë e fortë mes komuniteteve të ndryshme. Kur njerëzit ndajnë interesa të përbashkëta dhe punojnë drejt qëllimeve të përbashkëta, është më e lehtë të kapërcehen paragjykimet dhe të ndërtohet besimi i ndërsjellë. Turizmi, bujqësia dhe sipërmarrja rinore janë fusha në të cilat bashkëpunimi tashmë mund të sjellë rezultate pozitive sot.

Andaj, bashkëpunimi ekonomik është rrugë e rëndësishme për një të ardhme më të qëndrueshme, të suksesshme dhe të lidhur për të gjithë qytetarët e komunës së Shtërpcës.

*Jelena Durleviq ka përfunduar Shkollën Ekonomike dhe bashkëpunon me OJQ-në ‘Strong Start’ nga Shtërpca.

(Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED)).