Musine Kokalari (1917 – 1983) ishte shkrimtare dhe aktiviste politike në periudhën ndër më të rëndësishmet të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte themeluese dhe figura kryesore e Partisë së parë Socialdemokrate të Shqipërisë, e cila ishte njëkohësisht një prej grupimeve të para domethënëse politike kundërshtare ndaj regjimit enverist. Rrjedhimisht, Musineja e kaloi pjesën më të mirë të jetës si e burgosur politike dhe e torturuar për shkak të bindjeve të saj demokratike, nga të cilat nuk u zbraps asnjëherë.
Kështu në histori, Musineja ishte ndër të parat intelektuale që e sakrifikoi rehatinë në dobi të përpjekjes për demokraci, si një grua që refuzoi t’i nënshtrohej regjimit të hekurt edhe burrëror. Për më tepër se kaq, Musineja ishte ndër të parat dhe të rallat, që e refuzoi dhe luftoi kategorikisht konformizmin, konservatorizmin dhe totalitarizmin. Ajo u ngrit kundër hegjemonisë e monopolit të partisë-shtet, parti kjo që insistonte në mendim të njëtrajtshëm e në aktivizëm njëdimensional politik, sipas diktatit të partisë, e nën konceptimin nga lart poshtë të mënyrës se si e kuptojmë atdheun, atdhedashurinë dhe të mirën e përgjithshme.
Kur u arrestua më 23 janar të vitit 1946 nga regjimi i Enver Hoxhës dhe u dënua si “sabotuese dhe armike e popullit” nga Gjyqi Ushtarak i Tiranës me 30 vjet burgim (2 korrik 1946), të cilat më pas u reduktuan në 20, Musine Kokalari mbajti këtë qëndrim:
“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”
Në figurën e Musines gjejmë të gërshetuara tri veçori themelore të aktivitetit politik e lirisë njerëzore : intelektualitetin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë. Ajo e thoshte (shkruante) atë që e mendonte, vepronte ashtu siç ishte e bindur dhe frymonte ashtu siç fliste. Pra, mendonte e lirë, angazhohej e lirë dhe jetonte e lirë.
E lindur më 10 shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë, Musine Kokalari bashkë me familjen u kthyen më 1921 në Gjirokastër, qyteti i prejardhjes familjare. Që në moshë të re, Musineja tregoi një pasion të veçantë për letërsinë dhe për folklorin.
E shkolluar fillimisht në Tiranë, ajo studioi në Fakultetin e Letërsisë Moderne në Universitetin “La Sapienza” në Romë të Italisë. Musine Kokalari botoi veprën e saj letrare të titulluar “Siç më thotë nënua plakë” më 1941, që trajtonte çështjet e gruas dhe të shoqërisë patriarkale.
Krahas punës vetjake letrare, ajo ndërmerr dhe nisma të rëndësishme në fushën e publicistikës. Përgjatë vitit 1942, emri i Musine Kokalarit përfshihet në Enciklopedinë Italiane si një shkrimtare e talentuar me potencial të lartë letrar. Si pjesë e nismës antifashiste në Shqipëri, ajo jep ndihmesën e saj në botimin e revistës “Gruaja Shqiptare” në qershor të 1943 nën pseudonimin “Tacitta”. Më 1944, Musineja publikoi dy veprat e saj me titujt “Rreth Vatrës” dhe “Sa u tunt Jeta”.
Që nga fillimi i vitit 1942, Musine Kokalari angazhohet në lëvizjet antifashiste dhe antikomuniste në Romë. Më 1943, ajo është një nga themelueset dhe frymëzueset kryesore të Partisë Social–Demokrate. Si pjesë e këtij projekti politik, ajo publikon më 1 janar 1944 numrin e parë të gazetës “Zëri i Lirisë”, si gazetë zyrtare e Partisë Social-Demokrate.
Në shkurt të 1944, Musineja publikoi programin e Partisë Social-Demokrate, që kërkonte liri politike, të drejtën e çdo qytetari për praktikimin e lirisë së shprehjes, të lirisë e shtypit dhe të lirisë së votës: “Arsyeja kryesore e kufizimit të lirisë politike është [mungesa e] drejtësia sociale“. Kokalari mbështeste idenë e një Konfederate Ballkanike, e cila u shfaq në fillimin e shekullit të XX-të, nga shumica e Partive Socialdemokrate të Gadishullit Ballkanik.
Vëllezërit e saj, Muntaz e Vejsim Kokalari, iu pushkatuan pa gjyq më 12 Nëntor 1944. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke qenë themeluese e Partisë Social-Demokrate dhe të organit të shtypit “Zëri i lirisë”, Musine Kokalari u arrestua dy herë përgjatë periudhës 13-28 nëntor 1945. Në të njëjtin muaj, ajo përfshihet në një lëvizje intelektuale dhe politike, të cilën ajo e quajti “Koalicioni Demokratik”. Kjo lëvizje përfaqësonte të gjitha grupimet opozitare që kërkonin shtyerjen e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, ku asnjë parti tjetër veç asaj komuniste nuk ishte lejuar të regjistrohej me kandidatët dhe platformat e tyre. Në “Koalicionin Demokratik”, Musineja ishte përfaqësueja e vetme e Partisë Social-Demokrate, por njëkohësisht edhe figura kryesore e këtij koalicioni. Kjo kërkesë nënkuptonte zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri. Të gjithë firmëtarët e notës së përpiluar u arrestuan në janar të vitit 1946.
Në këtë kohë, Musine Kokalari arrestohet për t’u mbajtur gjatë në burg, ku iu nënshtrua torturave të tmerrshme të regjimit. Më 1964, pas 16 viteve burgim në burgun famëkeq të Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të sigurimit. Musine Kokalari kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj në internim në Rrëshen, nga ku doli në pension me gjysmë page. Ajo punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e ndërtimit, mes tullave, llaçit dhe betonit.
Megjithë përndjekjen e vazhdueshme dhe mungesën e kushteve minimale, Musine Kokalari arriti ta përfundonte në fshehtësi një libër të saj të titulluar “Si lindi Partia Social-Demokrate”, ku ajo shpjegon alternativën e saj progresiste dhe demokratike.
Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 nga Komiteti i Treshit (pararendës i Klubit PEN).
Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit. Asaj iu refuzua kurimi në spitalin shtetëror onkologik. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekje i shkaktuan vdekjen në izolim të plotë në gusht të vitit 1983. Ajo u rivarros më vitin 1991 në Shish – Tufinë.
Më 1993, Musine Kokalari u shpall “Martir i Demokracisë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.