- July 4, 2023
- Posted by: marigone
- Category: Balline
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari fton Qeverinë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që në çfarëdo iniciative për Ligjin e Punës të përfshijë direktivat e Bashkimit Evropian, që janë shumë të nevojshme pasi e bëjnë Ligjin në përputhje me legjislacionin dhe standardet e BE-së ku mëton të integrohet Kosova. Mospërfshirja e këtyre direktivave në ligj dëmton të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë së tyre në punë.
Sipas programit legjislativ të Qeverisë së Kosovës për këtë vit, qeveria është dashur që javën e shkuar, me datë 30 qershor, ta miratojë iniciativën për plotësim-ndryshimin e Ligjit të Punës dhe ta dërgojë atë për trajtim të mëtutjeshëm në Kuvendin e Kosovës. Vonesat në iniciativat legjislative shkojnë në dëm të punëtorëve, prandaj institucionet duhet ta trajtojnë këtë çështje me urgjencë.
IPS Musine Kokalari vlerëson që Kosova ka nevojë për një ligj të ri të punës, siç është sugjeruar shumëherë edhe nga organizatat tjera të shoqërisë civile në Kosovë që kanë punuar në këtë drejtim. Iniciativa për plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues lë shumë zbrazëtira dhe nuk adreson shumë probleme me të cilat përballen punëtorët sot në Kosovë.
Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të ketë qasje më progresive në vendimet që lidhen me të drejtat e punës, duke vendosur punëtorët/et dhe të drejtat e tyre në qendër të vendimeve që lidhen me Ligjin e Punës dhe aspektet e tjera të vendimmarrjes që kanë të bëjnë me të drejtat e punëtorëve.
4 korrik 2023