- December 1, 2021
- Posted by: Instituti Musine
- Category: Balline
Drejtori i Bordit të Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Belgzim Kamberi, ka marrë pjesë në Paris, në panelin e Tribunës publike mbi temën: “Zërat e rinj mjedisor dhe qytetarë në Ballkan”.
Duke paraqitur rezultatet e hulumtimeve të ISP “Musine Kokalari” për hidrocentralet dhe rastet konkrete lokale, si aktivizmin e organizatave joqeveritare dhe të aktivistëve për mjedisin lidhur me hidrocentralet në zonën e Deçanit, apo protestat në Shtërpce dhe Gorazhdec, Belgzim Kamberi ka ngritur pos tjerash edhe çështjen e mjedisit si hapësirë të re të ndërtimit të qytetarisë dhe të bashkëpunimit rajonal në funksion të interesit publik, si dhe nevojën e zbatimit të drejtësisë mjedisore në të ardhmen e afërt.
Në panel ishin edhe znj.Natalija Simoviq nga Ne davimo Beograd (Serbi) dhe z.Mileta Radovanoviq, Sekretar i Përgjithshëm i Građanski pokret URA (Mali i Zi).
Përpos tribunës publike, panelistët kanë mbajtur një konferencë me gazetarë nga mediat prestigjoze franceze mbi çështjet e mjedisit në Ballkan, një bashkëbisedim me z.Sébastien Gricourt si bashkëdrejtues për Ballkan në Fondation Jean Jaurès, si dhe kanë zhvilluar një drekë pune me përfaqësuesit e Partisë së Gjelbër franceze – Europe Écologie-Les Verts.
Ata janë pranuar po ashtu në takim nga zyrtarët e Drejtorisë për Ballkan në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës- France Diplomatie.
Organizimi i kësaj vizite është mundësuar e përkrahur nga Le Courrier des Balkans dhe zyra e Heinrich-Böll-Stiftung Paris, France.
30 nëntor 2021