Në një qytet ende të shënuar nga ndarjet, ndërveprimi i përditshëm dhe aktivitetet e përbashkëta mbeten çelësi për ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve.
Shkruan: Nazan Mustafa*
A mund të ndërtohet dialogu ndëretnik kur komunitetet pothuajse nuk kanë hapësira për ndërveprim, komunikim dhe bashkëpunim? Në Mitrovicë, ku mungesa e besimit dhe pasojat e së kaluarës vazhdojnë të ndikojnë në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, aktivitetet e përbashkëta kanë më shumë peshë sesa thjesht iniciativa simbolike. Ato krijojnë mundësi reale për dialog, bashkëpunim dhe fuqizim të kohezionit social.
Dialogu ndëretnik ndërtohet përmes kontakteve të vazhdueshme, përvojave të përbashkëta dhe mjediseve ku njerëzit ndihen të sigurt për të komunikuar dhe bashkëpunuar. Kur këto mundësi mungojnë, paragjykimet forcohen me kalimin e kohës, duke vështirësuar ndërtimin e një bashkëjetese të qëndrueshme dhe reziliente.
Një nga sfidat më të mëdha mbetet mungesa e kontakteve të rregullta mes komuniteteve. Kur njerëzit nuk kanë mundësi të njihen drejtpërdrejt, perceptimet për njëri-tjetrin shpesh krijohen pa përvojë reale. Kjo krijon një distancë të heshtur, e cila reflektohet në mënyrën se si bashkëjetojnë dhe komunikojnë me njëri-tjetrin.
Kjo situatë prek veçanërisht të rinjtë, të cilët shpesh rriten në mjedise të ndara dhe me pak mundësi për ndërveprim. Me kalimin e kohës, mungesa e komunikimit nuk mbetet vetëm në nivel individual, por shndërrohet në një model social që ushqen mosbesimin dhe stereotipet. Në këtë mënyrë, mungesa e kontakteve nuk është thjesht boshllëk komunikimi, por një faktor që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si komunitetet e perceptojnë njëri-tjetrin.
Pikërisht për këtë arsye, aktivitetet e përbashkëta kanë rol të rëndësishëm në ndërtimin e dialogut dhe kohezionit social. Ato krijojnë mundësi për komunikim të drejtpërdrejtë, shkëmbim përvojash nga perspektiva të ndryshme dhe kuptimin se shumë nga sfidat që prekin qytetarët janë të përbashkëta. Disa nga temat si: bullizmi, siguria kibernetike, dhuna me bazë gjinore, barazia gjinore, orientimi në karrierë, punësimi, vetëpunësimi, ndërmarrësia, shëndeti mendor, ndryshimet klimatike dhe kujdesi për mjedisin tejkalojnë ndarjet etnike dhe krijojnë bazë reale për solidaritet, mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Kur komunitetet angazhohen së bashku rreth këtyre temave, vëmendja zhvendoset nga dallimet drejt nevojave reale të jetës së përditshme. Të gjitha këto prekin jetën e përditshme në mënyra të ndryshme, por me një emërues të përbashkët: nevojën për një komunitet më të sigurt, më të shëndetshëm dhe më të përgjegjshëm.
Për shembull, diskutimet mbi punësimin, orientimin në karrierë dhe vetëpunësimin u japin të rinjve mundësi të ndajnë shqetësime të ngjashme për të ardhmen e tyre. Në ato momente bëhet e qartë se sfidat ekonomike nuk njohin përkatësi etnike dhe se bashkëpunimi mund të krijojë mundësi reale për zhvillim dhe mbështetje reciproke.
Po ashtu, aktivitetet që lidhen me kujdesin për mjedisin në hapësirat shkollore apo komunitare krijojnë një formë konkrete bashkëpunimi. Në këto raste, dialogu nuk mbetet vetëm diskutim, por përkthehet në veprim të përbashkët.
Megjithatë, në praktikë, pjesëmarrja në aktivitete të tilla nuk është gjithmonë e barabartë. Persona me aftësi të kufizuara, të rinj nga zonat rurale dhe grupe të tjera të margjinalizuara shpesh mbeten jashtë proceseve të dialogut për shkak të barrierave ekonomike, sociale apo fizike. Kjo pabarazi kufizon impaktin pozitiv të aktiviteteve dhe pengon ndërtimin e një dialogu gjithëpërfshirës.
Prandaj, për të forcuar lidhjet ndërmjet komuniteteve dhe besimin reciprok, aktivitetet duhet të organizohen në mënyrë që të garantojnë qasje reale dhe pjesëmarrje të barabartë për të gjitha grupet shoqërore. Dialogu nuk mund të konsiderohet gjithëpërfshirës nëse një pjesë e komunitetit mbetet jashtë tij.
Një tjetër sfidë e rëndësishme lidhet me mungesën e vazhdimësisë. Në shumë raste, aktivitetet e përbashkëta zhvillohen në kuadër të projekteve afatshkurtra dhe përfundojnë sapo mbaron mbështetja financiare. Kjo kufizon ndikimin e tyre dhe e bën të vështirë ndërtimin e besimit afatgjatë, sepse dialogu nuk mund të ndërtohet përmes një aktiviteti të vetëm apo kontakteve sporadike.
Ai kërkon kohë, vazhdimësi dhe hapësira të qëndrueshme bashkëpunimi, ku ndërveprimi të mos jetë i rastësishëm, por pjesë e përditshmërisë. Pikërisht për këtë arsye, aktivitetet e përbashkëta nuk duhet të mbeten vetëm përgjegjësi e organizatave të shoqërisë civile. Institucionet publike, sistemi arsimor dhe mediat duhet të kenë rol më aktiv në mbështetjen dhe promovimin e tyre. Vetëm përmes një qasjeje të koordinuar mund të krijohen kushte reale për dialog të vazhdueshëm dhe për forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve.
Në këtë proces, familja dhe shkolla luajnë rol të pazëvendësueshëm. Familja është mjedisi i parë ku fëmijët formësojnë perceptimet për të tjerët dhe mësojnë si të ndërveprojnë me pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme. Kur prindërit i inkurajojnë fëmijët të marrin pjesë në aktivitete të përbashkëta dhe të komunikojnë me bashkëmoshatarë nga komunitete të ndryshme, ata ndihmojnë në ndërtimin e një brezi më të hapur, më të sigurt dhe më pranues ndaj diversitetit.
Ndërkohë, shkolla krijon mundësi konkrete për bashkëpunim përmes aktiviteteve kulturore, sportive, edukative dhe projekteve të përbashkëta mes nxënësve. Pikërisht në këto hapësira ndërtohen kontaktet e para, të cilat më vonë mund të shndërrohen në besim, ndjenjë përkatësie dhe edukim për paqe e bashkëjetesë.
Rëndësi të veçantë në këto procese ka edhe roli i grave. Kur ato përfshihen si organizatore, fasilituese apo iniciatore aktivitetesh, dialogu bëhet më i hapur, më gjithëpërfshirës dhe më afër realitetit të komunitetit.
Një aspekt tjetër me rëndësi është rrjetëzimi që krijohet përmes aktiviteteve të përbashkëta. Shpesh, një aktivitet nuk përfundon vetëm me diskutim apo trajnim. Ai krijon kontakte, partneritete dhe bashkëpunime të reja mes individëve, organizatave dhe komuniteteve, të cilat mund të vazhdojnë edhe më vonë përmes iniciativave sociale, kulturore apo ekonomike.
Diversiteti etnik nuk duhet parë si sfidë, por si aset për zhvillimin e një shoqërie më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse. Kur menaxhohet përmes dialogut, respektit dhe bashkëpunimit, ai shndërrohet në forcë që i afron komunitetet dhe jo në faktor ndarjeje.
Në fund, dialogu ndëretnik nuk ndërtohet vetëm përmes deklaratave apo diskutimeve formale. Ai forcohet kur njerëzit komunikojnë, krijojnë përvoja të përbashkëta, bashkëpunojnë dhe mësojnë ta shohin njëri-tjetrin përtej paragjykimeve dhe stereotipeve. Pikërisht për këtë arsye, aktivitetet e përbashkëta nuk duhet të konsiderohen luks apo çështje dytësore. Ato përbëjnë bazën për ndërtimin e besimit, bashkëjetesës dhe kohezionit social. Me fjalë të tjera, ato forcojnë edhe ndjenjën e përkatësisë, pa të cilën kohezioni social vështirë se mund të jetë i qëndrueshëm.
*Nazan Mustafa është Doktor i Shkencave Sociologjike – Sociologji e Organizatave dhe aktualisht është Drejtore Ekzekutive e shoqatës Mitrovica Women Association for Human Rights (MWAHR).
(Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED)).