Tregu i punës në Kosovë vazhdon të karakterizohet nga kontrata të parregullta, shkelje të të drejtave dhe pasiguri për punëtorët. Megjithatë, paralelisht me këtë realitet, një segment i vogël, kryesisht sektori i teknologjisë i lidhur me kompani ndërkombëtare, po funksionon sipas një logjike krejt tjetër: paga më konkurruese, fleksibilitet në orar dhe standarde më të qarta pune. Ky kontrast po krijon gjithnjë e më qartë dy realitete të ndara brenda të njëjtit treg pune.
Për Fatjona Topanicën, 26-vjeçare, nënë e re dhe inxhiniere e rrjetit, modeli i punës hybrid nuk është luks, por domosdoshmëri. Ajo punon për një kompani kosovare që ofron shërbime për tregun amerikan dhe thotë se fleksibiliteti i ka mundësuar të ruajë balancën mes karrierës dhe jetës familjare.
“Kam mbi tri vite në këtë kompani, kryesisht sepse puna hybrid më përshtatet shumë si nënë e re. Më lejon të kaloj më shumë kohë me fëmijën dhe ta menaxhoj më lehtë jetën familjare. Në vendin ku kam punuar më parë, kjo nuk ishte e mundur,” thotë ajo.
Historia e Fatjonës nuk është e izoluar. Sektori i teknologjisë në Kosovë po shndërrohet në një nga shembujt më konkretë se si bashkëpunimi me kompani ndërkombëtare po ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të punës.
Sipas drejtoreshës së STIKK Kosova, Vjollca Çavolli, orientimi i hershëm drejt tregjeve të huaja dhe konkurrenca për talent kanë detyruar kompanitë e këtij sektori të adoptojnë më shpejt praktika moderne të punës: vlerësim bazuar në performancë, transparencë në role, investim në zhvillim profesional dhe kultura më të hapura organizative.
“Bashkëpunimi me kompani të huaja ka sjellë pritshmëri të standardizuara, nga politikat e punës te menaxhimi i projekteve dhe komunikimi profesional. Kjo ka krijuar presion pozitiv për paga më konkurruese, fleksibilitet dhe fokus te mirëqenia e punëtorëve,” shpjegon Çavolli.
Ajo shton se modeli remote dhe hybrid mund të shërbejë si shembull edhe për sektorë të tjerë, për aq sa puna është digjitale dhe rezultatet maten qartë, por thekson se çelësi mbetet kultura menaxheriale e orientuar drejt performancës, jo vetëm prezencës fizike.
Për Lind Hetemin, kalimi nga një kompani vendore në një kompani gjermane të teknologjisë shënoi ndryshim rrënjësor në përvojën e punës.
“Më parë punonim pa kontratë të rregullt dhe pa pagesë për orët jashtë orarit. Tani kam pagë më të mirë, transparencë dhe ndjenjë sigurie për të ardhmen. Kjo të motivon të zhvillohesh profesionalisht,” thotë ai.
Ngjashëm flet edhe Edita Muharremi, e cila punon remote nga Kosova për një kompani austriake.
“Kontratën e kam, paga del me kohë, orari respektohet. Pushimet planifikohen, orët shtesë paguhen. Është hera e parë që ndiej se puna ime vlerësohet profesionalisht,” shprehet ajo.
Por ndërsa një pjesë e vogël e punëtorëve përjetojnë këtë realitet të ri, shumica vazhdojnë të përballen me shkelje sistematike të të drejtave.
Të dhënat e Inspektoratit të Punës për vitin 2024 tregojnë se problemi është i madh. Vetëm gjatë këtij viti janë evidentuar 1,722 shkelje lidhur me kompensimin e punëtorëve, 1,192 raste për pushimin vjetor dhe 1,095 raste të ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Puna gjatë vikendit, orët shtesë dhe puna në ditë festash vazhdojnë të mbeten kategori problematike.
Gresa (emër i njohur për redaksinë) është një nga punëtoret që iu drejtua Inspektoratit pasi kontrata me afat të pacaktuar iu ndërpre brenda së njëjtës ditë, pa procedura ligjore.
Pas një periudhe premtimesh gojore për rritje page dhe përmirësim kushtesh, ajo u përball me ndërprerje të menjëhershme të marrëdhënies së punës pas dy mungesave për arsye shëndetësore familjare, për të cilat thotë se kishte njoftuar paraprakisht.
Inspektorati vendosi në favor të saj dhe gjobiti punëdhënësin.
“Sot punoj për një kompani gjermane dhe ndihem shumë më e respektuar. Bizneset në Kosovë ende nuk e kuptojnë çka do të thotë kulturë organizative,” thotë ajo.
Paralelisht me këto zhvillime, eksporti i shërbimeve nga Kosova po shënon rritje të vazhdueshme.
Në vitin 2024 arriti në 3.36 miliardë euro, ndërsa eksportet e shërbimeve të teknologjisë së informacionit shkuan në 348.4 milionë euro. Këto shifra po e pozicionojnë sektorin e teknologjisë si një nga motorët kryesorë të ekonomisë.
Megjithatë, ndikimi i këtij sektori në tregun e përgjithshëm të punës mbetet i kufizuar.
Ndërsa teknologjia po dëshmon se puna dinjitoze është e mundur edhe në Kosovë, shumica e punëtorëve vazhdojnë të jetojnë mes pasigurisë dhe shkeljeve ligjore. Pyetja nuk është më nëse standardet ekzistojnë, ato tashmë po aplikohen nga kompani ndërkombëtare, por nëse shteti dhe bizneset vendore janë të gatshme t’i kthejnë këto përjashtime në rregull.
Agnesa Qorri është gazetare me fokus në të drejtat e grave. Ka përfunduar studimet në Komunikim Masiv dhe Gazetari dhe merret me gazetari që nga viti 2016. Gjatë karrierës së saj, ka qenë pjesë e disa mediave, përfshirë emisione të transmetuara në Klan Kosova. Ajo është autore dhe producente e podcastit “Equal Voices”.
Ky shkrim është shkruar në kuadë të platformës Decent ֝Work, që udhëhiqet nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari dhe Qendra për Politikat e Emancipimit në Serbi, projekt ky i mbështetur nga Europen Fund Balkan – EFB
Përmbajtja dhe pikëpamjet e shprehura në artikull janë përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Institutit Musine Kokalari dhe Qendrws pwr Politikat e Emnacipimit në Serbi.