Publikohet raporti i tretë i Monitoruesit Social: Mbështetja për Punësimin e Grave dhe të Rinjve

Këto janë të gjeturat e raportit të fundit tonë si Institut për Politika Sociale Musine Kokalari: ‘Mbështetja për Punësimin e Grave dhe të Rinjve: Mes paqartësisë së shumës së paguar dhe efektit që do të arrihet’.

Sipas masave të Pakos për Ringjallje Ekonomike e cila është miratuar në qershor të vitit 2021, konkretisht masa 1.3, për të cilën janë ndarë 5 milionë euro do të rezultonte me rreth 11 mijë gra të punësuara, në rastin kur subvencioni i paguar arrin shumën maksimale të lejuar me masën. Atëherë kur shuma e subvencionit është më e vogël numri i përfitueseve do të jetë më i madh. Në anën tjetër, të dhënat japin një shifër po aq të ulët të përfitimit të të rinjve nga masa 1.4 me vetëm 4.902 përfitues, nëse shuma e paguar a subvencionit shkon në kufirin e epërm të masës. Ndërkaq, të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës vazhdojnë të japin një shkallë të ulët të aktivitetit të grave dhe të rinjve  në tregun e punës  dhe gjithashtu një shkallë të lartë të papunësisë. Rrjedhimisht këto të dhëna bëjnë që pjesa më e madhe e tyre të mos mund të përfitojnë nga masat e Qeverisë.

Sidoqoftë, e paqartë mbetet shuma e subvencionimit nga këto masa pasi që njoftimet nga Ministri i Financave, z.Hekuran Murati në rrjetet e tij sociale japin një shumë më të vogël, krahasuar me llogaritjet nga masat e Pakos për Ringjallje Ekonomike.

Masat e tilla dhe zbatimi i tyre kanë potencial të madh të shërbejnë si katalizator punësimi për këto dy kategori  dhe kështu shpiejnë në një shpenzim më të drejtë të parasë publike. Andaj, ftojmë Qeverinë e Republikës së Kosovës që të jetë më transparente në këtë drejtim.

Raportin e plotë ‘Mbështetja për Punësimin e Grave dhe të Rinjve: Mes paqartësisë së shumës së paguar dhe efektit që do të arrihet’ mund ta lexoni në vegëzën më poshtë.

Ky raport është përkrahur nga Olof Palme International Center.

Raporti i plotë mund të shkarkohet këtu:

 



Leave a Reply