Mali Sharr, bujqësia dhe turizmi: vizioni i të rinjve serbë për zhvillimin e Shtërpcës

Bujqësia, turizmi dhe iniciativat komunitare u identifikuan si disa nga mundësitë më premtuese për zhvillimin ekonomik të Shtërpcës. Ky ishte një nga përfundimet kryesore të punëtorisë “Të Rinjtë dhe Ndërtimi i Besimit Ndërkomunitar”, të organizuar në Shtërpcë nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari me pjesëmarrjen e të rinjve nga komuniteti serb. Punëtoria u organizua dhe u moderua nga Senad Šabović dhe Fisnik Rexhepi.

Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit diskutuan për identitetin, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, sfidat socio-ekonomike dhe mundësitë për zhvillimin e komunës së Shtërpcës. Përmes diskutimeve interaktive, ata reflektuan mbi faktorët që formësojnë identitetin e tyre, duke theksuar rëndësinë e komunitetit, fesë, arsimit dhe lidhjes me vendin ku jetojnë.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua marrëdhënieve ndëretnike. Pjesëmarrësit vlerësuan se politika dhe narrativat e trashëguara nga gjeneratat më të vjetra vazhdojnë të ndikojnë në perceptimet ndërmjet komuniteteve. U theksua nevoja për më shumë komunikim, bashkëpunim dhe kontakte të drejtpërdrejta ndërmjet të rinjve.

Papunësia dhe mungesa e perspektivës ekonomike u identifikuan si sfidat kryesore me të cilat përballen të rinjtë në Shtërpcë. Pjesëmarrësit shprehën shqetësim për numrin e kufizuar të vendeve të punës në sektorin privat dhe për ndikimin e lidhjeve familjare apo politike në procesin e punësimit, duke kërkuar më shumë meritokraci dhe luftim të korrupsionit. Sipas tyre, këta faktorë kontribuojnë drejtpërdrejt në migrimin e të rinjve.

Megjithatë, diskutimet nxorën në pah edhe potenciale konkrete zhvillimi. Pjesëmarrësit identifikuan bujqësinë, veçanërisht kultivimin e mjedrës, si një nga sektorët me potencialin më të madh ekonomik për zonën. Ata përmendën gjithashtu bashkëpunimin ekonomik ndërmjet komuniteteve në tregtimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, si dhe mundësitë që ofrojnë Mali Sharr, turizmi malor dhe mbledhja e kërpudhave.

Në kuadër të punës në grupe, pjesëmarrësit propozuan iniciativa konkrete për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit lokal. Një grup sugjeroi krijimin e një shoqate të grave nga komunitete të ndryshme, ndërsa grupi tjetër propozoi promovimin e Malit Sharr përmes aktiviteteve turistike, kampeve, ecjeve në natyrë dhe aktiviteteve sportive që mund të tërheqin vizitorë dhe të krijojnë mundësi të reja ekonomike.

Pjesëmarrësit u pajtuan se zhvillimi ekonomik, krijimi i mundësive për të rinjtë dhe bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve janë elemente kyçe për të ardhmen e Shtërpcës. Mesazhi kryesor i punëtorisë ishte se, pavarësisht sfidave, ekzistojnë potenciale reale për zhvillim përmes bujqësisë, turizmit dhe iniciativave lokale që nxisin bashkëpunimin dhe kohezionin social.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nxitja e Dialogut Politik mbi Kohezionin Ndëretnik dhe Social”, me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED).