Instituti Musine Kokalari nis bashkëpunimin me Kuvendin Komunal të Prizrenit për avancimin e politikave sociale

Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari, më 14 maj, mbajti takimin fillestar në Kuvendin Komunal të Prizrenit me Kryesuesin e Kuvendit dhe me shefat e grupeve të asambleistëve të partive politike të kësaj komune.

Qëllimi i takimit ishte prezantimi i Grantit Institucional, i mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe prezantimi i komponentit të projektit që fokusohet në bashkëpunimin me kuvendet komunale në pesë komuna të Kosovës. Ky komponent synon krijimin e grupeve tematike të asambleistëve, të fokusuara në politika sociale dhe në përmirësimin e shërbimeve sociale në nivel lokal.

Gjatë takimit u diskutua nevoja për ngritjen e kapaciteteve të asambleistëve në fushën e politikave sociale, me theks të veçantë tek asambleistët e rinj dhe roli i tyre në mbikëqyrjen, diskutimin dhe avancimin e shërbimeve sociale në komunë.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Simir Krasniqi, si dhe përfaqësuesit e grupeve të asambleistëve nga të gjitha partitë politike, e vlerësuan pozitivisht qëllimin e projektit dhe u zotuan për bashkëpunim të ngushtë me Institutin gjatë tri viteve të zbatimit të tij.

Në fazat e ardhshme, projekti do të vazhdojë me takime të përbashkëta ndërmjet qytetarëve dhe asambleistëve, ku do të diskutohen nevojat lokale, sfidat në qasjen dhe cilësinë e shërbimeve sociale, si dhe rekomandimet konkrete për përmirësim në nivel komunal.

Ky takim shënon hapin e parë drejt ndërtimit të një bashkëpunimi më të strukturuar ndërmjet Institutit, kuvendeve komunale, asambleistëve dhe qytetarëve, me qëllim forcimin e rolit të nivelit lokal në adresimin e nevojave të qytetarëve dhe përmirësimin e shërbimeve sociale.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia