- August 13, 2021
- Posted by: Instituti Musine
- Category: Balline
![](https://musineinstitute.org/wp-content/uploads/2021/08/237119115_369581684612007_5259005917691587295_n.jpg)
Sot, në 38 vjetorin e vdekjes, kujtojmë gruan disidente Musine Kokalari. Ajo ishte ndër të parat intelektuale, shkrimtare dhe aktiviste politike e cila sakrifikoi rehatinë në dobi të përpjekjes për demokraci, si një grua që refuzoi t’i nënshtrohej regjimit të hekurt edhe burrëror. Themeluese e Partisë Socialdemokrate, veprimtaria dhe mosbindja e saj i kushtuan 16 vjet burg dhe 22 vjet internim në regjimin e Enver Hoxhës.
Veprimtaria e Musine Kokalari sot na shërben për të sjellur në vëmendjen e shoqërisë civile dhe ndërgjegjes politike, një pjekuri progresive të shpejtë e të thellë, me një konsistencë logjike dhe integritet moral.
Musine Kokalari është vepra dhe jeta që flet. Që na kujton. Përgjegjësinë, përkushtimin, vendosmërinë.
Për më tepër, mendimi i saj politik zgjeron kuptimin e politikës në shoqëri. I jep dimension shtesë demokracisë, jo si diktat numrash, por si përpjekje e përbashkët kolektivi. Jo si fitore e një pjese, por si hapësirë për të gjithë. Jo si shumicë që sundon, por si përgjegjësi ndaj pakicës, ndaj të shtypurve e të nëpërkëmburve, ndaj atyre që përndryshe i neglizhojmë. Për Musinenë në politikë, ky ishte kuptimi i politikës. T’iu jep zë atyre që nuk kanë. Të flas për ata që nuk dëgjohen.
Fjalët e fundit të Musinës ishin : “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje”.
![]() | ReplyForward |