Ferizaj: Nevojë për qendra ditore për gratë pensioniste dhe përmirësim të shërbimeve sociale

Krijimi i qendrave ditore për gratë pensioniste dhe përmirësimi i koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal në zbatimin e politikave sociale janë ndër prioritetet në fushën e mirëqenies sociale në Komunën e Ferizajt. I nevojshëm është edhe fuqizimi i rolit të asambleistëve në adresimin e nevojave të qytetarëve dhe përmirësimin e shërbimeve sociale në komunë.

Këto ishin ndër rekomandimet kryesore të takimit konsultativ me anëtarët e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, të organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari. Takimi kishte për qëllim identifikimin e nevojave dhe mangësive në fushën e politikave dhe shërbimeve sociale, si dhe adresimin e tyre përmes propozimeve konkrete në Kuvendin Komunal të Ferizajt.

Gjatë diskutimit, asambleistët ngritën shqetësime lidhur me vështirësitë që hasin institucionet komunale në zbatimin e legjislacionit dhe politikave sociale të hartuara në nivel qendror. Në këtë kontekst, u theksua nevoja për koordinim më të mirë ndërmjet dy niveleve të qeverisjes, me qëllim që politikat dhe shërbimet sociale t’u përgjigjen më mirë nevojave të qytetarëve.

Vëmendje e veçantë iu kushtua mungesës së hapësirave të dedikuara për gratë pensioniste. Hapja e qendrave ditore për këtë kategori u identifikua si një nga prioritetet e komunës. Qendra të tilla do të kontribuonin në parandalimin e izolimit social, promovimin e plakjes aktive dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së grave pensioniste, duke u ofruar mundësi për socializim dhe aktivitete rekreative.

Përmes këtyre konsultimeve, Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari synon të mbështesë asambleistët në hartimin dhe adresimin e propozimeve konkrete për përmirësimin e politikave dhe shërbimeve sociale, si dhe në forcimin e mekanizmave të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve komunale.

Ky aktivitet përkrahet nga programi “EJA Kosovë” i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.