Kohezioni social, përfshirja e qytetarëve dhe qasja e barabartë në shërbime sociale ishin disa nga sfidat kryesore që u diskutuan në takimin e parë me anëtarët e Grupit Tematik të Asambleistëve për Politika dhe Shërbime Sociale në Komunën e Kamenicës, në kuadër të projektit “Dialog Social Gjithëpërfshirës”.
Gjithashtu diskutimi vuri në pah se politikat sociale ndërthuren ngushtë me fusha të tjera, si arsimi dhe transporti, pasi qasja në këto shërbime ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien, përfshirjen sociale dhe mundësitë e qytetarëve.
Ndër çështjet konkrete të ngritura ishin nevoja për kujdes dhe mbështetje më të madhe për personat e moshuar pa përkujdesje, zhvillimi i shërbimeve të kujdesit për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe mbështetja për grupet e tjera të cenueshme.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe vështirësive me të cilat përballen qytetarët në zonat rurale për të pasur qasje në shërbime. Sigurimi i transportit u diskutua si një element i rëndësishëm për qasjen në arsim, shërbime sociale dhe shërbime të tjera publike, si dhe për zvogëlimin e izolimit social.
Takimi shënon fillimin e punës së Grupit Tematik në Kamenicë, përmes të cilit synohet që çështjet e politikave dhe shërbimeve sociale të trajtohen në mënyrë më të strukturuar në nivel lokal.
Hapi i ardhshëm do të jetë organizimi i një takimi të përbashkët me organizatat lokale në fushën sociale, aktivistët dhe institucionet relevante komunale, me qëllim diskutimin më të gjerë të nevojave, sfidave dhe prioriteteve në fushën e politikave dhe shërbimeve sociale në Kamenicë.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia

