Përmirësimi i qasjes në shërbime, zgjerimi i kapaciteteve të kujdesit parashkollor, forcimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe rritja e mbikëqyrjes së politikave komunale u veçuan si disa nga prioritetet kryesore për avancimin e përfshirjes shoqërore dhe institucionale të komuniteteve Ashkali, Rom dhe Egjiptian në komunat e Fushë Kosovës dhe Lipjanit.
Këto prioritete u identifikuan gjatë takimit konsultativ me asambleistë nga komunat e Fushë Kosovës dhe Lipjanit, të organizuar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari (IPSMK) në kuadër të projektit të mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Takimi kishte për qëllim identifikimin e sfidave dhe nevojave të komuniteteve Ashkali, Rom dhe Egjiptian, si dhe përcaktimin e veprimeve konkrete për avancimin e përfshirjes së tyre shoqërore dhe institucionale. Edhe pse ishin të ftuar, përfaqësuesit e Komunës së Obiliqit nuk morën pjesë.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit theksuan domosdoshmërinë e adresimit të sfidave me të cilat përballen këto komunitete në nivel lokal, veçanërisht sa i përket qasjes në shërbime publike dhe institucionale, përmirësimit të kushteve të jetesës për familjet dhe krijimit të mundësive më të mira për arsim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën publike. Njëkohësisht, u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve komunale dhe organizatave të shoqërisë civile në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave për komunitetet.
Në kuadër të takimit u prezantuan edhe gjetjet nga konsultimet e zhvilluara me qytetarët, të cilat evidentuan sfida në fushën e arsimit, përfshirë diskriminimin në shkolla, punësimin dhe zhvillimin ekonomik, qasjen në shërbime dhe programe mbështetëse, pjesëmarrjen qytetare dhe përfaqësimin institucional, si dhe marrëdhëniet ndëretnike dhe përfshirjen shoqërore.
Përfaqësuesit e Komunës së Lipjanit theksuan vështirësitë në qasjen në shërbime për kategori të caktuara të qytetarëve, veçanërisht për lehonat, duke nënvizuar nevojën për zgjerimin e shërbimeve të specializuara. Gjithashtu, u diskutua për rëndësinë e mbështetjes së komuniteteve në zonën e Magurës, ku jetojnë komunitete të ndryshme dhe ku angazhimi i institucioneve arsimore mbetet kyç për përfshirjen dhe integrimin e tyre.
Nga Komuna e Fushë Kosovës u veçua rëndësia e përfaqësimit të komuniteteve në Kuvendin Komunal, ku aktualisht katër asambleistë përfaqësojnë komunitetet joshumicë. Diskutimet u përqendruan edhe në sfidat që lidhen me pjesëmarrjen e prindërve në aktivitetet shkollore, zbatimin e planeve komunale për komunitetet, zgjerimin e kapaciteteve të kujdesit parashkollor, si dhe çështjet e strehimit dhe statusit pronësor të familjeve. Po ashtu, u trajtua ndikimi i legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për Pagat dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, në ofrimin e shërbimeve dhe mbështetjes për komunitetet.
Takimi u mbyll me dakordimin për vazhdimin e dialogut ndërmjet institucioneve lokale, përfaqësuesve të komuniteteve dhe organizatave të shoqërisë civile, me synim avancimin e politikave dhe masave që kontribuojnë në një përfshirje më të barabartë, qasje më të mirë në shërbime dhe zhvillim të qëndrueshëm për komunitetet Ashkali, Rom dhe Egjiptian.