Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari gajtë javës që shkoi zhvilloi një takim me Sindikatën e Postës së Kosovës, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballet sindikata, raportet me menaxhmentin, si dhe kërkesat për forcimin e bashkëpunimit sindikal.
Gjatë takimit u theksua se sindikata ka pasur sfida të vazhdueshme me menaxhmentin dhe bordin, përfshirë raste të shumta të procedurave ligjore dhe adresim të çështjeve edhe në Inspektoratin e Punës gjatë periudhës 2021–2024. U përmend se gjatë kësaj kohe sindikata është përballur me presione të ndryshme, por ka pasur edhe mbështetje nga kolegët dhe nga sindikata ndërkombëtare.
Sindikata është anëtare e CEST dhe ka bashkëpunim me struktura ndërkombëtare sindikale, të cilat kanë kontribuar në rritjen e presionit për adresimin e çështjeve në institucionet e Kosovës. U theksua gjithashtu se komunikimi me menaxhmentin është përmirësuar deri në atë pikë sa përgjigjet ndaj ankesave zyrtare jepen brenda tre ditëve.
Sindikata ka rreth 80% të punëtorëve të organizuar, me kontribut prej 1% të pagës së tyre. Në kuadër të Postës veprojnë edhe dy sindikata të tjera, të cilat aktualisht nuk janë aktive. Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndër-sindikal në nivel vendi dhe rajoni.
Në aspektin ligjor, sindikata ka dy avokatë dhe dy zyra ligjore në mbështetje të anëtarëve të saj. U theksua gjithashtu se sindikata nuk është pjesë e BSPK-së.
Sa i përket kushteve të punës, u ngritën shqetësime për paga të ulëta, ku u përmend se një postier paguhet rreth 480 euro. Megjithatë, sindikata theksoi se ofron përkujdesje për punëtorët, përfshirë transparencën e vazhdueshme dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme.
U diskutua edhe për qasjen e institucioneve publike ndaj sindikatës, e cila u vlerësua si e kufizuar dhe shpesh injoruese, si dhe vështirësitë në realizimin e takimeve me nivelet ekzekutive të menaxhmentit.
Në përmbyllje, si kërkesë kryesore u theksua forcimi i bashkëpunimit me sindikatat e tjera në Kosovë, si një hap i domosdoshëm për rritjen e fuqisë sindikale dhe adresimin më efektiv të të drejtave të punëtorëve.
(Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia).