Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2025, rreth 537 mijë persona të moshës 15–64 vjeç janë ekonomikisht joaktivë, prej të cilëve rreth 364.600 gra dhe 172.600 burra. Gratë përbëjnë afro 68% të personave ekonomikisht joaktivë, çka nxjerr në pah pabarazitë e theksuara gjinore në pjesëmarrjen ekonomike.
Pavarësisht masave dhe politikave të deritanishme, rreth gjysma e popullsisë në moshë pune vazhdon të mbetet jashtë fuqisë punëtore. Veçanërisht shqetësuese mbetet shkalla e lartë e joaktivitetit ekonomik të grave, e cila dëshmon se pengesat strukturore për pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës vazhdojnë të jenë të theksuara.
Joaktiviteti ekonomik nuk mund të shpjegohet vetëm me zgjedhjet individuale. Mungesa e shërbimeve të kujdesit, përgjegjësitë e papaguara familjare, pasiguria ekonomike dhe mundësitë e kufizuara për punësim të denjë vazhdojnë të pengojnë pjesëmarrjen në tregun e punës, veçanërisht të grave dhe të rinjve.
Politikat sociale dhe të punësimit të Qeverisë së Kosovës ende nuk po u përgjigjen në mënyrë të mjaftueshme nevojave reale të qytetarëve. Përmasat e joaktivitetit ekonomik dhe pabarazitë e theksuara gjinore nxjerrin në pah mangësitë e politikave qeveritare dhe nevojën për rezultate konkrete në adresimin e pengesave strukturore.
Për këtë arsye, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete në këto drejtime:
- Politikat aktive të punësimit: Zhvillimi i programeve të aftësimit profesional dhe punësimit për gratë, të rinjtë dhe personat që kanë mbetur për një kohë të gjatë jashtë tregut të punës.
- Zgjerimi i shërbimeve sociale: Investimi në shërbime të qasshme dhe të përballueshme të kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe personat në nevojë, si parakusht për pjesëmarrje më të gjerë ekonomike.
- Barazia gjinore: Luftimi i diskriminimit, promovimi i ndarjes më të barabartë të përgjegjësive të kujdesit dhe krijimi i kushteve për pjesëmarrjen dhe avancimin e grave në tregun e punës.
- Formalizimi i ekonomisë: Reduktimi i punësimit informal, mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe garantimi i pagave dhe kushteve dinjitoze të punës.
Përmasat e joaktivitetit ekonomik kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga Qeveria. Një numër kaq i lartë i qytetarëve jashtë fuqisë punëtore nuk mund të relativizohet përmes deklaratave për sukses ekonomik, pa u dëshmuar efektiviteti i politikave publike në adresimin e pabarazive strukturore.
Në këtë kontekst, Qeveria duhet të japë përgjigje për disa çështje thelbësore:
- Çfarë masash konkrete po ndërmerren për uljen e mëtejshme të joaktivitetit ekonomik?
- Çfarë rezultatesh të matshme kanë dhënë politikat sociale dhe programet aktive të punësimit?
- Çfarë progresi është arritur në zgjerimin e shërbimeve të kujdesit, formalizimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve cilësore të punës?
- Pse mbi dy të tretat e grave në moshë pune vazhdojnë të mbeten ekonomikisht joaktive?
Joaktiviteti ekonomik nuk është vetëm çështje e tregut të punës, por lidhet drejtpërdrejt me politikat sociale, barazinë gjinore dhe përgjegjësinë institucionale. Pa adresimin e pengesave strukturore, pjesëmarrja ekonomike nuk mund të jetë as gjithëpërfshirëse, as e qëndrueshme.
Kërkojmë nga Qeveria transparencë, llogaridhënie dhe rezultate konkrete. Suksesi i politikave sociale duhet të matet me ndikimin e tyre real në përfshirjen ekonomike të qytetarëve dhe zvogëlimin e pabarazive sociale e gjinore.
Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari
Prishtinë, 12 tetor 2026